GJKKO rrëzon sërish 5 kërkesat e Veliajt, avokati: Seanca të transmetohet live. Ols Dado: S’ka arsye të shtyhet gjykimi Një ditë pas atentatit të ndodhur në Mirditë, ende nuk ka asnjë gjurmë që mund të çojë në identifikimin e autorëve. Policia e Lezhës ka marrë në pyetje disa persona, mes tyre edhe një koleg të viktimës, me të cilin ai ishte nisur për në punë mëngjesin e ngjarjes.
Sipas deklarimit të tij, ai është ndalur në një lokal disa kilometra larg vendit të ngjarjes për të konsumuar kafe, ndërsa Valter Lleshi ka vijuar rrugën i vetëm drejt punës.
Autorët dyshohet se i kanë zënë pritë 45-vjeçarit në një kthesë të aksit rrugor, duke e qëlluar me breshëri automatiku sapo automjeti i tij është afruar pranë vendit ku ishin pozicionuar. Ata kanë shfrytëzuar jo vetëm relievin e thyer malor të zonës, por edhe orët e para të mëngjesit, kur lëvizja e automjeteve në këtë aks është minimale. Kjo u ka mundësuar të veprojnë pa u vënë re dhe më pas të largohen pa lënë gjurmë të dukshme.
Deri më tani nuk ka persona të shoqëruar apo të ndaluar në lidhje me vrasjen. Hetimet po hasin vështirësi për shkak se krimi ka ndodhur në një zonë të thellë malore, ku mungojnë kamerat e sigurisë dhe mundësitë për të siguruar prova filmike.
Sipas burimeve hetimore, autorët janë treguar të kujdesshëm dhe profesionistë, duke mos lënë gjurmë të dukshme në vendngjarje. Aktualisht, provat kryesore në duart e grupit hetimor mbeten gëzhojat e sekuestruara dhe automjeti me të cilin udhëtonte viktima.
Edhe pas shumë orësh kërkime në terren dhe monitorimi me dronë, nuk është bërë e mundur të gjendet ndonjë gjurmë që mund të tregojë drejtimin e largimit të autorëve. Hetimet vijojnë në disa pista, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Top Channel