LIVE/ “Kujdes, është provokim”, tensione në protestën e 15-të. Ç’ndodhi para Kryeministrisë, qytetarët marshojnë nëpër kryeqytet

14/06/2026 22:59

Persona me kapuça të zinj dhe syze prishën qetësinë e protestës qytetare në ditën e saj të 15-të. Tensionet nisën kur u përhapën zëra se qytetarëve po u kërkoheshin kartat e identitetit për firmosjen e një peticioni, por organizatorët thanë se një gjë e tillë ishte provokim.

Protesta vijoi me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Edhe në ditën e 15-të, qytetarët i shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike të 35 viteve me pankarta ironike dhe humor, por nuk munguan as fjalimet në podiumin e ngritur para Kryeministrisë.

Largimin e deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, nga grupi parlamentar i socialistëve, protestuesit e cilësuan fitore të tyre.

“Sapo erdhi një lajm që tregon se sa e madhe është kjo protestë. Një nga gurët e shahut sapo ka rënë, një deputete ka dhënë dorëheqjen nga PS. Deputetja e Shkodrës Marjana Koçeku sapo ka thënë jam deputete e pavarur. Ju erdhi fundi. Kjo na tregon se ne duhet të qëndrojmë në shesh, ato do të bien një nga një si gurë dominoje”, tha një prej protestuesve.

Tubimit iu bashkuan sot edhe banorë të Durrësit që kundërshtojnë projektin TID.

Pas fjalimeve, qytetarët marshuan në rrugët e kryeqytetit e më pas u futën në Unazën Lindore.

Top Channel