Një kilogramë kokainë është zbuluar në kryeqytet, i fshehur në një makinë, e cila do të shpërndahej.

Finalizohet faza e tretë e operacionit policor të koduar “Zonat”, teksa në pranga u vunë 2 persona.

“Si rezultat i kësaj faze të operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit G. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, dhe Zh. P., 35 vjeç, banues në Gjirokastër.

Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe pas një pune hetimore e operacionale të mirëorganizuar, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas, në rrugën “Prokop Mina”.

Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 kg e 71 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas do të furnizonin shtetas të tjerë me këtë sasi lënde narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në zonën e Tiranës së Re.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Gjatë fazave të para dhe të dytë të operacionit “Zonat”, janë sekuestruar mbi 1 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe janë vënë në pranga dy poseduesit e saj”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel