Sulmet e SHBA-së pranë Hormuzit/ Irani godet objektivat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, akuza Uashingtonin për shkelje të memorandumit të mirëkuptimit

27/06/2026 14:31

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pasi Teherani deklaroi se ka goditur objektiva ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, në përgjigje të sulmeve të fundit të SHBA-së pranë Ngushticës së Hormuzit.

Garda Revolucionare iraniane njoftoi se ka shënjestruar pozicione ushtarake amerikane, ndërsa Ministria e Jashtme e Iranit akuzoi Uashingtonin për shkelje të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar javën e kaluar. Deri tani, ushtria amerikane nuk ka konfirmuar ndonjë sulm ndaj forcave të saj.

Bahreini, ku ndodhet një bazë e rëndësishme ushtarake amerikane, raportoi se gjatë orëve të para të së shtunës u godit nga dronë iranianë. Ministria e Jashtme e Bahreinit e dënoi sulmin, duke e cilësuar atë si “shkelje flagrante të sovranitetit” të vendit.

Ndërkohë, një anije cisternë u godit nga një predhë e paidentifikuar në Ngushticën e Hormuzit, e cila pësoi dëmtime, por nuk pati të lënduar mes ekuipazhit.

Si pasojë e incidenteve të fundit, Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar (JMIC), e mbështetur nga Marina Amerikane, ngriti nivelin e kërcënimit në Ngushticën e Hormuzit në kategorinë “i konsiderueshëm”, ndërsa rekomandoi kujdes maksimal për anijet tregtare që kalojnë në këtë korridor strategjik.

Përshkallëzimi i situatës vjen pasi ushtria amerikane kreu të premten sulme ndaj depove të raketave, dronëve dhe sistemeve të radarëve bregdetarë në Iran.

Sipas CENTCOM, operacioni ishte një përgjigje ndaj sulmit iranian ndaj një anijeje tregtare pranë Ngushticës së Hormuzit.

Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi sulmin iranian ndaj anijes si një “shkelje të pamend” të marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa një zyrtar amerikan tha se operacioni nuk sinjalizon rikthimin në një konflikt të gjerë ushtarak.

Edhe zëvendëspresidenti J.D. Vance reagoi ashpër, duke deklaruar se “dhuna do të përballet me dhunë”.

Pavarësisht memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar së fundmi, zhvillimet e ditëve të fundit kanë vënë në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit.

Dokumenti parashikon që Irani të garantojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe rikthimin gradual të trafikut detar në nivelet para konfliktit.

Megjithatë, mbetet ende paqartësi mbi mënyrën e zbatimit të marrëveshjes, veçanërisht për çështjen e tarifave të kalimit. Presidenti Trump ka deklaruar se lundrimi duhet të jetë i lirë dhe pa pagesë, ndërsa Teherani këmbëngul se ka të drejtë të vendosë tarifa për anijet që kalojnë nëpër ngushticë.

Top Channel