Prej ditësh në rrjetet sociale po qarkullojnë video që kanë hapur debat për Banjat Termale të Bënjës. Disa pamje i tregojnë llixhat bosh, ndërsa të tjera plot me ujë e vizitorë. Për të parë nga afër situatën reale, ne zgjodhëm të shkojmë në Bënjë dhe kjo është pamja sot, të shtunën e 27 qershorit.
Banjat Termale të Bënjës vijojnë të mbeten një nga destinacionet më të frekuentuara turistike gjatë sezonit veror. Çdo ditë, dhjetëra vizitorë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës zgjedhin llixhat natyrore për të shijuar ujërat termale dhe peizazhin unik të Kanioneve të Langaricës.
Zona ka pësuar një transformim të ndjeshëm. Janë ndërtuar rrugë këmbësore, hapësira pushimi dhe infrastrukturë e re. Ndërhyrjet kanë përfshirë edhe sistemimin e llixhave termale, të cilat tashmë janë organizuar me struktura të reja për të lehtësuar përdorimin nga vizitorët.
Këto punime kanë ngjallur diskutime në rrjetet sociale, ku janë publikuar video dhe pretendime të ndryshme mbi gjendjen e burimeve. Sipas specialistëve, ndërhyrjet nuk pritet të sjellin shterimin e burimeve termale, pasi ato furnizohen nga sisteme të thella nëntokësore.
“Shkarkimi i vaskave është bërë për shkak se jemi në proces pune dhe afati i punimeve është për mbylljen në muajin shtator”, u shpreh një nga specialistët e angazguar në projekt.
Ndërkohë, pavarësisht debatit online, fluksi i turistëve mbetet i lartë dhe Banjat e Bënjës vazhdojnë të jenë një nga atraksionet natyrore më të vizituara në jug të Shqipërisë, duke tërhequr vizitorë për vlerat kurative të ujërave termale dhe bukurinë e peizazhit përreth.
Top Channel