Lidhje me grupe të strukturuara kriminale në trafikun dhe kultivimin e narkotikëve, SPAK çon për gjykim tre punonjës policie

29/05/2026 12:48

Tre ish-shefa policie do të gjykohen për llogari të SPAK nga Gjykata e Posaçme si të akuzuar për trafik droge, grup kriminal dhe shpërdorim detyre.

Hetimi i prokurorit Alfred Shehu bazohet në operacione anti-hashash në Sarandë dhe në Tepelenë, por edhe në të dhënat se secili nga ish-zyrtarët e policisë posedonte aplikacionin Sky ECC për të komunikuar me trafikantë.

Ish-shefi i Policisë Himarë, Shkëlzen Ruska, ish-shefi i Krimeve të Lushnjës, Ervis Alisinanaj, dhe ish-oficeri Erdit Hazizaj, që të tre me masa “arrest në burg”, dyshohen se ndihmuan anëtarët e dy grupeve kriminale që nga 2019 deri në 2021 vepruan në zonën e Sarandës dhe të Tepelenës.

Si drejtues i grupit të Sarandës dyshohet Kristo Qirici, vëllai i Edmond Papës, i vrarë në 2022. Ndërsa i grupit të Tepelenës, Eldion Alushaj.

Hetimi për një ish-shef tjetër të kufirit në Sarandë, Elvis Dervishi, është veçuar e së bashku me të edhe ndaj gjashtë të dyshuarve si grup kriminal në fushën e kanabis sativa-s, pasi ata janë ende në kërkim prej një viti.

SPAK deklaron se një ngarkesë prej 1144 kilogramë kanabis kaloi nga Qafë Bota, e fshehur në një rulotë me të cilën udhëtonin dy turistë italianë. Për këtë ngarkesë interesohej i dyshuari Qirici.

Vlera e kësaj ngarkese llogaritet 1.7 milionë euro.

SPAK shprehet se kur anëtarët e grupit arrestoheshin, anëtarët e tjerë interesoheshin për të mbështetur ekonomikisht të afërmit e bashkëpunëtorëve, si edhe t’u siguronin mbrojtje efektive në gjykatë. Për këtë dyshohet se kishin lidhjet e tyre në polici.

SPAK thekson se një rol të tillë e ka kryer i dyshuari Hazizaj, që mbante detyrën e specialistit të hetimit në mbulim në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.

Nga ana tjetër, SPAK shprehet se për 1360 rrënjë kanabis të asgjësuara në zonën Tepelenë-Gjirokastër, dyshohet se veç anëtarëve të grupit të angazhuar, ndihmë jepte Shkëlzen Ruska, i cili mbante në kohën e operacionit antidrogë detyrën e specialistit të policisë në Gjirokastër dhe dyshohet se ka dhënë garanci për këtë aktivitet.

Top Channel