“Asani nuk ka luajtur, prandaj nuk u grumbullua”/ Maran: Ndryshimet në Kombëtare do të jenë graduale
Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, doli në një konferencë për mediat pas publikimit të listës së tij për ndeshjet miqësore me Izraelin dhe Luksemburgun.
Tekniku italian u ndal te lojtarët e grumbulluar, duke u shprehur se iu referua listës së madhe dhe duke shtuar se disa prej lojtarëve janë të dëmtuar.
“Do kisha dashur që lista të ishte pak më e gjatë, sepse kam dëshirë që të shoh të gjithë lojtarët. Janë dy ndeshje që do jenë fondamentale për ekipin. I jam referuar dhe listës së madhe. Kam punuar që të kuptoj më mirë gjendjen e lojtarëve. Lojtarë të dëmtuar janë Strakosha, me të cilin kam folur në telefon. Gjithashtu të dëmtuar janë Dajsinani, Manaj, Muçi, Gripshi. Duhet të marrim maksimumin nga këta lojtarë, sepse janë ndeshje shumë të rëndësishme.
Jam i lumtur për atë që ka thënë Edgar Çani. Gjatë punës time ka rastisur që lojtarët të shënojnë një rekord golash përgjatë sezonit. Kur arrin të shënosh, rezultatet kanë më të favorshme. Kjo gjë mund të ndihmojë Armando Brojën, por edhe lojtarët e tjerë. Jam i bindur që me punën që do të bëjmë në fushë do të ndihmojmë sulmuesin, por edhe ekipin të arrijnë rezultate.
Kam folur me Ivan Balliun. Nuk e di ende nëse do të luante me Kombëtaren. Do të marrë kohën e tij. Ka bërë shumë mirë për Kombëtaren dhe ka të drejtën e tij të marrë kohën e duhur”, tha ndër të tjera Maran.
Top Channel