Lamtumira e “Zotave”, pse ky Botëror do të na bëjë të gjithëve të qajmë.
Sezoni i sapo përfunduar nuk ka qenë një sezon i lehtë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla i cili ishte në radhët e Mallorca ku u transferua në formë huazimi nga Roma. Futbollisti kuqezi që ishte një element i rëndësishëm te Espanyol në sezonin 2024-25, te Mallorca u përçmua nga trajneri Demichelis.
Në një intervistë telefonike për të përditshmen ‘Mundo Deportivo’, Kumbulla mbrohet dhe flet për ndjesitë e së kaluarës, të tashmes e sidomos të ardhmes
Përpara të gjithave, si je? Si është skuadra pas rënies diçka që shumë pak e parashikonin në fillim të sezonit?
‘Sigurisht që ndihem keq për atë që ndodhi. Nuk ishte ajo që donim as ne futbollistët, as stafi, as trajneri dhe as klubi. Është shumë e vështirë ta pranosh sepse normalisht me pikët që fituam zakonisht shpëton. Këtë vit ishte diçka jo shumë e zakonshme. Të dhemb shumë sepse nuk ishte ajo që pritej këtë vit’
Është e vështirë të besosh se një skuadër me kaq talente bie nga kategoria
‘Futbolli është i dinamikave të shumta dhe kur nisëm kampionatin kishim një kalendar shumë të vështirë. Kjo bëri që të kishim një ecuri negative dhe më pas e vë re presionin…Mendoj se kishim skuadër që të paktën të qëndronim në La Liga. Por mnë futboll ndodhin gjëra që ndonjëherë nuk di si t’i shpjegosh. Nuk ka shpjegim’
Në javët e fundit diferencat e skuadrave në zonën e rënies u bë shumë e ngushtë
‘Unë jam mësuar që në Itali me 40 pikë shpëton në 99% të rasteve. Por në La Liga ka shumë skuadra që janë në të njëjtin nivel, La Liga është shumë e ekuilibruar; Getafe u kualifikua në Conference League me pak më shumë pikë se ne. Besoj se ka shumë disnivel në Itali në krahasim me Spanjën; këtu mund të humbasësh me këdo. Duke folur me shokët e mi të skuadrës, në javët e fundit të vinte inar sepse ti fitoje, por fitonin ethe të tjerët. Dhe kjo të bënte të ndihesh keq sepse thua ‘Ta hajë dreqi’. Fituam ndaj Realit të Madridit, Rayos, po kështu fituan edhe të tjerët. Është e vështirë për ta pranuar’
Po flitet shumë për të ardhmen e disa futbollistëve, sidomos Muriqit. Sheh ndonjë mundësi që ai të qëndrojë në La Liga 2?
‘Shumë futbollistë janë të lidhur me Mallorca, me ishullin. Është një skuadër me shumë nivel. Sigurisht nuk flas me shokët e skuadrës për këto gjëra, por me siguri do të ketë ndryshime. Nuk besoj se të gjithë futbollistët, sidomos ata që kanë merkato, do të qëndrojnë. Është mendimi im’.
Duhej bërë më parë ndryshimi në pankinë? U kalua nga 0.9 pikë për ndeshje me Arrasate në 1.5 pikë me Demichelis
‘Mund të përmirësoheshim edhe me Arrasate, këtë nuk do ta dijmë kurrë. Sa herë që ka një ndryshim të gjithë zgjohemi pak, kështu që ndoshta edhe një ndryshim i jep një shtysë skuadrës. Në fillim të sezonit, me këtë kalendar e sheh veten me pak pikë, është e vështirë. Demichelis bëri mirë, skuadra u përmirësua, pati më shumë mundësi për të fituar ndeshjet, por nuk di të them nëse do të ishte më mirë që të bëhej ndryshimi më parë’
Demichelis tha se nuk dinte gjë për ty përpara ndeshjes së fundit të kampionatit. Nuk e dimë, nëse dëshiron të na tregosh versionin tënd të fakteve përtej asaj që publikove në rrjetet sociale
‘Nuk e prisja. Erdha në shtëpi dhe nisën të më vinin komente dhe lajme, nuk e dija se çfarë po ndodhte, por më pas disa miq më treguan atë çfarë kishte thënë trajneri. Ende nuk e kuptoj se përse e tha, isha i dëmtuar dhe nuk mund të stërvitesha. E vetmja gjë qeë mund të them është se doja të isha në 100%, dëshira ime ishte të isha me skuadrën. Për këtë arsye në ndeshjet e fundit, në ato ku mund të isha në dispozicion udhëtova me skuadrën. Unë doja që në një farë mënyrë të inkurajoja skuadrën. Nuk e di se përse e tha, nuk më kishte ndodhur kurrë një gjë e tillë. Mund të më thonë gjithçka, por jo që nuk jam profesional dhe që nuk jam i lidhur me skuadrën. Gjithnjë vë ekipin në plan të parë. Nëse nuk mund të ndihmoja skuadrën ishte thjesht për faktin sepse ishte e pamundur. Problemi që pata ishte pas ndeshjes kundër Valencias, udhëtova me skuadrën në Vitoria dhe të hënën pas sfidës tentova të stërvitesha. Por nuk mundesha, bëra gjithcka dhe kisha probleme, po kështu edhe ditën tjetër, madje u përkeqësua gjendja. Kështu vendosa të ndaloj së stërvituri që të isha në javën tjeter por në fund nuk ndodhi. Nuk kam asgjë për çfarë ta qortoj veten, bëra gjithçka për t’u kthyer. Siç të thashë, nuk e prisja dhe besoj se nuk e meritoj’
Përpara këtij episodi, kishe probleme me të?
‘Jo, aspak, prandaj u befasova. Ato pak ditë që u stërvita m’u duk mirë dhe unë e vlerësoj punën që ka bërë këtu, këtë nuk e vë në dëshirë. Por të që vërë në dyshim profesionalizmin dhe impenjimin tim, kjo jo, nuk më ka ndodhur kurrë në karrierën time’.
Ajo që është e qartë, është se nuk ka qenë një sezon i lehtë për ty.
‘Erdha me mendimin për të ndihmuar, luajtur dhe konkurruar, por nuk ishte e lehtë. Ndonjëherë gjërat thjesht ndodhin. Ti bën rutinën tënde siç e ke bërë gjithmonë dhe diçka nuk funksionon. Ishte shumë e vështirë për mua, njerëzit mendojnë se ne nuk vuajmë. Mua më thanë se jam me pushime, nuk dola sepse isha i trishtuar. Ajo që do ti është të japësh kontributin, jeta jote është të luash futboll. Dhe kur nuk e bën këtë ndihesh keq, është e qartë se nuk mund të mbyllesh në shtëpi 24 orë sepse ndryshe nuk jeton. Por nuk më bëhej as të dilja për darkë, ka qenë një vit i vështirë në nivel personal’
U fol edhe për një largim tëndin në janar
‘Edhe unë e dëgjova ndonjë lajm, por në atë moment nuk doja të largohesha nga Mallorca sepse me dëmtimin e parë doja të jepja kontributin tim në skuadër në fazën e dytë të kampionatit. Nuk doja t’i lija gjërat përgjysmë’
Përtej dëmtimeve, është e qartë se me Raíllo dhe Valjent në pozicionin tënd nuk do të ishte e lehtë për ty. Pse zgjodhe Mallorca dhe jo projektet e tjerë
‘M’u duk një projekt serioz dhe isha i sigurt se mund të tregoja vlerat e mia. Jam i bindur se pa dëmtimet do të kisha mundur të luaja më shumë dhe të kisha hapësira në skuadër. Po, është e vërtetë se me një dyshe të tillë që luan së bashku prej 7 vitesh ishte më e vështirë, por projekti më bindi’
Pavarësisht gjithçkaje, ka diçka pozitive nga kjo etapë e dytë në La Liga?
‘Jam i bindur se gjithçka ndodh për ndonjë arsye, ka qenë një vit shumë i vështirë, por që më bën më të fortë. Ajo që dua është të shkëputem dhe të nis sezonin tjetër me një tjetër mentalitet’
Tani do të të duhet të kthehesh te Roma, ku ke edhe 2 vjet në kontratë. Së fundmi ke thënë se do të të pëlqente të punoje më shumë me Gasperinin
‘Është një ndër trajnerët më të mirë në Itali dhe Evropë. E ka treguar me Atalantën dhe me Romën, e ktheu në Ligën e Kampioneve pas shumë vitesh. Do të më pëlqente të stërvitesha më me të, por Roma i mori vendimet e saj. Duhet t’i pranosh dhe të kërkosh diçka që të leverdis’
Për momentin do t’i bashkohesh Romës
‘Do të shkoj për t’u stërvitur mirë, të vihem në dispozicion të trajnerit dhe ta bëj në mënyrën më të mirë të mundshme. Pastaj do të flasim me ta, të shohim se çfarë duan dhe do të vendosim’
Skuadra ku ruajnë kujtime të bukura për ty është Espanyoli
‘Edhe unë kam kujtime të bukura aty, ishte sezoni im më i mirë në nivel personal dhe u arrit objektivi. Me Manolon kam një raport shumë të mirë, kemi folur ndonjëherë këtë vit. Jam shumë i kënaqur për ta, po, është e vërtetë që faza e dytë ishte pak më e dobet, por patën edhe fatin e keq. Është një trajner shumë i mirë në nivel taktik dhe në raportet me futbollistër dhe kjo besoj se duket’.
Deri në çfarë pike ekzistonte mundësia për t’u kthyer verën e kaluar?
‘Kishte mundësi, por asgjë konkrete, nuk erdhi asnjë ofertë reale. E dija që ishtë dëshira që që të isha atje, por në fund nuk ndodhi. Të shohim sesi do të shkojnë gjërat tani
Do të të pëlqente që kjo të ndodhte ndonjë ditë
‘Në futboll nuk mund të mbyllësh kurrë asnjë portë, të shohim se çfarë do të ndodhë. Kam treguar se mund të përshtatem me La Liga, kështu që i mbaj të hapura të gjitha mundësitë’.
Top Channel