Klubi i Santos ka ndezur një debat të madh me një komunikatë zyrtare, duke dalë hapur kundër vlerësimit mjekësor të Kombëtares Braziliane (CBF) mbi kohëzgjatjen e dëmtimit të yllit të tyre, Neymar Jr.

Gjithçka nisi pasi mjeku i “Seleçao-s”, Rodrigo Lasmar, konfirmoi se numri 10 vuan nga një dëmtim i shkallës së dytë në pulpën e këmbës së djathtë (pasi pësoi një goditje në ndeshjen e Santos ndaj Coritiba-s më 17 maj). Sipas mjekut të kombëtares, Neymar duhet të qëndrojë jashtë fushave për 2 deri në 3 javë, duke humbur miqësoret ndaj Panamasë dhe Egjiptit, si dhe duke vënë në rrezik të madh ndeshjen hapëse të Botërorit 2026 kundër Marokut më 13 qershor.

Megjithatë, klubi i Santos ka reaguar menjëherë me një notë zyrtare duke kontestuar këtë prognozë kaq pesimiste. Klubi brazilian siguron se të gjitha ekzaminimet mjekësore dhe rezonancat e lojtarit i janë dorëzuar CBF-së që më 18 maj, ditën e grumbullimit zyrtar nga trajneri Carlo Ancelotti.

Sipas klubit të Santos, koha e rikuperimit prej dy javësh duhet të llogaritet nga dita e dëmtimit (17 maj) dhe plotësohet pikërisht këtë të dielë, më 31 maj, ditë kur lojtari do të jetë teorikisht gati për t’u rikthyer në aktivitet.

“Departamenti mjekësor i klubit është plotësisht i harmonizuar me programin e trajtimit të përcaktuar. Megjithatë, duhet kujtuar se këto parashikime ndryshojnë në varësi të trupit të çdo personi, si dhe sipas nevojave të skuadrës dhe rëndësisë së ndeshjeve”, thuhet në komunikatën e Santos, e cila shpreh besim të plotë se lojtari do të jetë në fushë për Kupën e Botës. Tani mbetet të shihet nëse trajneri Ancelotti dhe stafi mjekësor i Brazilit do të rrezikojnë ta aktivizojnë përpara kohe yllin e tyre, apo do të ndjekin rrugën e kujdesit.

Top Channel