Me 7.7 miliardë euro, Real Madrid është klubi më i vlefshëm në botë
Na ishte njëherë një kohë kur futbolli italian ishte në qendër të vëmendjes, Një kohë kur kampionët e mëdhenj mezi prisnin të vinin në Serie A për të matur forcat në turneun më të bukur, më të pasur dhe më të vështirë në botë.
Por ajo kohë tani duket shumë e largët dhe ai që e konfirmon këtë me një kthjelltësi çarmatosëse është pikërisht Andrea Pirlo në një intervistë për La Gazzetta Dello Sport.
Ish organizatori i Milanit, Juventusit dhe kombëtares italiane bëri një bilanc të lëvizjes futbollistike italiane duke nisur nga rrënojat e një Italie që ka mbetur jashtë 3 botërorëve të fundit.
‘Dhemb shumë, jam shumë i trishtuar-tha Andrea Pirlo-Botërori është momenti ku një vend i tërë bashkohet, një kujtim që e mban brenda vetes që kur je fëmijë. Të shohësh Italinë jashtë botërori në 3 edicione radhazi të vjen keq, por më e keqja është se nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk është bërë asgjë për të ndryshuar këtë kurs’
Serie A është shndërruar në një kampionat tranzit, e paaftë që të mbajë futbollistët më të mirë. Rasti më emblematik është ai i Kvicha Kvaratskhelia, që shpërtheu te Napoli dhe tani është një prej shtyllave të Paris Saint Germain
‘Ta mbanim në Itali? Sot është e pamendueshme-shtoi Pirlo-klubet jashtë Italisë kanë më shumë para dhe më shumë mundësi për të zhvilluar kampionë të caktuar. Skuadrat tona nuk e kanë më atë nivel. Po të isha futbollist në 2026 nuk do të kisha dyshime, me siguri do të luaja në Premier League’.
Ndërsa në Evropë ecet me një shpejtësi të madhe duke propozuar një futboll sulmues dhe spektakolar, Italia ka mbetur ende te trashëgimia e vjetër taktike.
‘Skuadrat e mëdha evropiane rrezikojnë, sulmojnë. Njerëzit shkojnë në stadium pikërisht për këtë, fëmijët duan të shohin këtë futboll dhe jo ndeshjet me rezultatin 0-0 me 10 futbollistë në mbrojtje dhe për të parë një gjuajtje në portë të lind dëshira për të fikur televizorin-tha Pirlo që foli edhe për finalen e Ligës së Kampioneve të shtunën
‘PSG është favorit, por kujdes nga mbrojtja e Arsenalit-tha Pirlo-them 2-1 për PSG. I shoh pak më përpara për shkak të eksperiencën duke qenë se së fundmi kanë luajtur 2 finale. Por Arsenali sapo ka fituar Premier League dhe luan një futboll fantastik’.
Do të jetë një sfidë yjesh edhe në mesfushë, reparti që Pirlo e ka dominuar për 20 vjet. Dueli mes Vitinha dhe Declan Rice e tërheq.
‘Janë të ndryshëm, por thelbësorë-tha Pirlo-Vitinha pastron çdo top dhe e vë në punë PSG nën presion, Rice ka kualitete të pabesueshme, mbyll çdo hapësirë dhe rikuperon gjithçka. Me cilin do të ndihesha më mirë? Mund të luaja fare mirë me të dy. Çfarë do të vendosë ndeshjen? Do të jetë faza mbrojtëse ajo që do të përcaktojë këtë sfidë. Gabriel e Saliba janë mes qendërmbrojtësve më të mirë në botë për fizikun dhe agresivitetin e tyre. Do të jetë e vështirë t’u shënosh gol’.
Top Channel