Napoli, Italiano kërkoi dhe i mori garancitë, tani topi është në fushën e Bologna
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në intervistën e dhënë për “Top Albania Radio”, ka folur në lidhje me kampionatin shqiptar, që sipas tij ka përparuar, por pranon se duhet ende punë.
“Nga pikëpamja e garës kampionati është shumë interesant dhe askush nuk e parashikon. Nëse do të flasim për nivelin, i yni nuk është në nivelet e kampionateve të përparuara të Europës, ka bërë hapa pozitivë përpara, por është ende larg. Sa i përket Ballkanit, jemi mirë në disa komponentë dhe duhet të punojmë në aspekte të tjera. Sa i përket stadiumeve jemi para, por mund të kishim numër më të madh fushash për stërvitje”, tha Duka.
I pyetur në lidhje shanset që Shqipëria dhe Kosova të kenë një Kombëtare, Duka u shpreh se kjo është e pamundur, por hodhi një ide mjaft interesante, që mund të merret në konsideratë në të ardhmen e largët a të afërt.
“Që Shqipëria dhe Kosova të kenë një Kombëtare është e pamundur përderisa nuk jemi një shtet. Ajo çfarë mund të mendoj unë do të ishte që njëri nga shtetet të vendosë të mos ndërtojë Kombëtare dhe lojtarët të shkojnë në njërin prej ekipeve”, shtoi ai.
Në fund Duka nuk ngurroi t’i përgjigjej pyetjeve të vështira në lidhje me trajnerët apo lojtarët e Kombëtares. Bie në sy zgjedhja e Muçit para Brojës apo e Berishës para Strakoshës. Në fund nuk mungoi një koment në lidhje me Botërorin. Duka zbuloi se Shqipëria po punon edhe që Superkupa e Europës për vitin 2028 të luhet në “Air Albania”.
“Emocion më shumë kam përjetuar në ndeshjen me Andorrën, kishte shumë pak raste dhe po hasnim vështirësi. Goli që më ka mbetur më shumë në mendje është i Bajramit në Çeki. Trajneri më karizmatik që ka pasur Kombëtarja është De Biasi. Lojtari që më ka surprizuar është Julian Shehu. Unë personalisht nuk jam për teknologjinë, por VAR-i ka korrigjuar shumë gabime dhe ka shënuar progres të madh në këtë aspekt.
Broja apo Muci? -Muçi.
Hysaj apo Gjimshiti? -Elsi.
Strakosha apo Berisha? -Berisha.
Asllani apo Ramadani? -Ramadani.
Manaj apo Bajrami? -Manaj për golin në Serbi.
Cana apo Mavraj? -Cana.
Tare apo Bogdani? -Bogdani.
Lila apo Lala? -Lala.
Skuadrat favorite në Botëror janë Franca, Anglia, Portugalia. Unë jam me Brazilin. Do të organizojmë Europianin për 21-vjeçarët në vitin e ardhshëm dhe po lobojmë për të pasur finalen e Superkupës së Europës në Shqipëri në vitin 2028. Zakonisht ne kur nisemi, i realizojmë gjërat”, përfundoi Duka.
Top Channel