Kurban Bajrami në Durrës, qindra qytetarë i drejtohen Xhamisë së Madhe në qendër të qytetit

27/05/2026 08:25

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festë që simbolizon sakrificën, dashurinë dhe devotshmërinë e njeriut ndaj Zotit.

Në orët e para të mëngjesit, besimtarët në Durrës iu drejtuan Xhamisë së Madhe në qendër të qytetit, për faljen e namazit dhe ndarjen e këtij gëzimi me njëri-tjetrin.

Gjatë ligjëratës së imamëve u theksua se mesazhi i Kurban Bajramit përçon filozofinë e sakrificës si kusht jetik për mbarëvajtjen dhe ngritjen e një shoqërie.

Ashtu si individi duhet të sakrifikojë nga koha, gjumi dhe të ardhurat e tij për të ofruar më të mirën, ashtu edhe institucionet duhet të bëjnë të njëjtën gjë në shërbim të qytetarëve, si rruga e vetme për të arritur një standard të lartë ndërgjegjeje dhe normash morale që garantojnë përparimin dhe harmoninë kolektive.

Pas faljes, besimtarët shkëmbyen urimet e rastit me njëri-tjetrin dhe u shpërndanë për të vijuar festën dhe për të përcjellë mesazhin e saj te familjet dhe të afërmit e tyre.

Top Channel