“Yjet” e Flamurtarit të dikurshëm rikthehen në fushë, ndeshje miqësore me gazetarë e menaxherë nga Anglia

21/05/2026 18:34

Veteranët e ekipit te futbollit te Flamurtarit janë bërë pjesë e një  aktiviteti sportiv, këtë herë në fushën e stadiumit “Flamurtari”, ku përballë tyre ishte një ekip veteranësh futbolli, menaxherësh dhe gazetarësh nga Anglia.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte zgjerimi i bashkëpunimeve sportive dhe rikthimi i atmosferës së dikurshme, në një sport ku për veteranët futbolli mbetet gjithmonë një pasion i madh.

Në nisje të aktivitetit u mbajt edhe një deklaratë e përbashkët për shtyp, ku të ftuarit nga Anglia u shprehën të kënaqur që ndodheshin në Vlorë dhe vlerësuan historinë e legjendave të futbollit vlonjat.

Ndërkohë, ish-lojtari i Flamurtarit dhe i Kombëtares, Kreshnik Çipi, u dhuroi miqve anglezë shallin dhe stemën e Flamurtarit. Ai theksoi rëndësinë që kanë këto aktivitete për të mbajtur gjallë pasionin dhe lidhjen me futbollin ndër vite.

Gjithashtu, ish-futbollisti Vasil Ruci u shpreh se këto bashkëpunime dhe aktivitete sportive do të vijojnë edhe në të ardhmen.

Veteranët e Flamurtarit vijojnë kështu aktivitetet sportive në futboll, këtë herë në një përballje miqësore me ekipin anglez, në kuadër të nismave të shumta sportive që organizohen në qytetin e Vlorës.

Top Channel