Ura “e harruar” në Fier/ Lidh dy skaje të qytetit, por është tërësisht e amortizuar dhe rrezikon qytetarët

17/05/2026 13:30

Ura që lidh dy skaje të qytetit të Fierit është lënë në harresë dhe sot po kthehet në një rrezik serioz për jetën e fëmijëve dhe kalimtarëve.

Trotuaret e ngushta, të dëmtuara dhe parmakët e prishur në disa segmente e bëjnë të vështirë dhe të pasigurt kalimin mbi urën e lagjes “Kryengritja e Fierit”, ndërsa rreziku shtohet edhe më shumë nga automjetet që qarkullojnë vazhdimisht në këtë aks. Banorët që duhet të kalojnë aty përditë shprehen të zhgënjyer që projekti “Rehabilitimi i lumit Gjanica dhe rikonceptimi i qendrës së qytetit” nuk e ka përfshirë këtë urë.

Përgjatë skarpateve të lumit tashmë janë ndërtuar trotuare të reja, zona pushimi dhe janë mbjellë pemë dekorative, duke transformuar ndjeshëm pamjen urbane të qytetit. Por mes kësaj panorame të re bie në sy gjendja e amortizuar e urës që lidh dy lagje të rëndësishme të Fierit.

Edhe pse rehabilitimi i urës dhe rikonstruksioni i fasadave të disa pallateve përreth ishin parashikuar në projektin fillestar, ato nuk u financuan. Burime nga Bashkia Fier bëjnë me dije se ndërhyrja mund të realizohet në një fazë tjetër, por aktualisht nuk ka një afat konkret, pasi gjithçka varet nga financimi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit që po zbaton projektin.

Top Channel