Atletico Madrid do të ketë një merkato transferimesh shumë nxehtë si në ardhje futbollistësh ashtu edhe në largime. Antoinne Griezmann do të largohet, por mund të mos jetë i vetmi nga lojtarët e nivelit të lartë që mund t’i thotë lamtumirë klubit të Los Colchoneros.

Paris Saint Germain ka vënë tashmë në lëvizje makinerinë e tij për të sjellë Julian Alvarez në kryeqytetin francez, diçka që është folur këto ditë edhe në median spanjolle. Sipas të përditshmes AS, klubi parizien i ka propozuar argjentinasit ardhjen te skuadra e Luis Enriques sezonin ardhshëm, një operacion qe mund të jetë historik.

Raportet mes drejtuesve më të lartë të të dy klubeve janë të shkëlqyera dhe në sintoni të plotë dhe mund të ndihmojnë, por në operacione të tilla, gjithnjë është çështje parash. Dhe Paris Saint Germaini është në gjendje të tillë financiare që mund të përballojë kostot e këtij operacioni.

Atletico Madrid gjithnjë ka thënë se Julian Alvarez nuk do të largohet kurrë për një çmim nën 100 milionë euro, por kjo shifër mund të shkojë deri në 140-150 milionë euro, një ofertë që do të ishte e pamundur për t’u refuzuar nga Atletico Madrid

Agjentët e Julian Alvarez prej kohësh kanë nisur bisedimet me disa klube por Paris Saint Germain duket i vendosur në dëshirën për të pasur argjentinasin në radhët e tij për sezonin 2026/27 e për më tepër duke ditur se ka lojtarë që i interespojnë Atletico Madrid sic janë Kang-In Lee dhe Gonçalo Ramos

Mbetet për të parë nëse ndonjë prej tyre do të mund të transferohet në Metropolitano edhe pse do të jenë operacione të ndara nga ai për Julian Alvarez. Javët e ardshme mund të qartësojnë më shumë gjërat me argjentinasin që gjithnjë ka lënë dyshime sa herë është pyetur për të ardhmen e tij, diçka që nuk pëlqehet nga tifozeria e Atletico

Në këtë sezon, Julian Alvarez nuk ka qenë konstant. Ka shënuar 20 gola në të gjitha kompeticionet dhe ka dhënë 9 asiste, ndërsa sezonin e kaluar, i pari për të me fanelën e Atletico, ka shënuar 29 gola në 57 ndeshje zyrtare dhe ka dhënë 8 asiste. Sulmuesi 26 vjeçar ka me Atletico Madrid një kontratë deri në 2030, ndërsa vlera e tij në merkato është 90 milionë euro.

Top Channel