Një ish-drejtuese e lartë e OpenAI dëshmoi në gjykatë se CEO i kompanisë, Sam Altman, kishte krijuar tensione dhe mosbesim mes drejtuesve të kompanisë, ndërsa startup-i i inteligjencës artificiale avanconte me zhvillimin dhe shpërndarjen masive të teknologjive të tij.

Mira Murati, ish-drejtoreshë e teknologjisë në OpenAI dhe për një periudhë të shkurtër edhe CEO e përkohshme e kompanisë pas largimit të Altmanit në vitin 2023, dha dëshminë e saj në gjykatën federale të Oaklandit në Kaliforni, gjatë javës së dytë të procesit gjyqësor të nisur nga Elon Musk kundër OpenAI.

Murati deklaroi se shqetësimi i saj kryesor ishte se Altman “i thoshte një gjë një personi dhe krejtësisht të kundërtën një tjetri”, duke shtuar se ai po “krijonte kaos” brenda kompanisë dhe në disa raste po mashtronte atë dhe drejtues të tjerë.
Dëshmia e regjistruar e Muratit u transmetua në sallën e gjyqit, ndërsa procesi vazhdon të tërheqë vëmendjen e industrisë globale të inteligjencës artificiale.

Musk, i cili është bashkëthemelues i OpenAI, ngriti padinë në vitin 2024, duke pretenduar se kompania ka devijuar nga misioni i saj fillestar jofitimprurës dhe është kthyer në mënyrë të papërshtatshme në një kompani të orientuar drejt fitimit. Ai kërkon që OpenAI të rikthehet në statusin e organizatës jofitimprurëse.

Nëse padia e tij rezulton e suksesshme, kjo mund të ndikojë ndjeshëm në ambiciet tregtare të OpenAI, njëkohësisht duke favorizuar startup-in rival të Musk, xAI, i cili tashmë është pjesë e SpaceX. Sipas dokumenteve gjyqësore, Musk po kërkon 150 miliardë dollarë dëmshpërblim nga OpenAI dhe investitori i saj kryesor, Microsoft, me pretendimin se krahu fitimprurës i startup-it ka përfituar padrejtësisht nga struktura bamirëse e kompanisë.

Murati, e cila tashmë ka themeluar startup-in e saj të inteligjencës artificiale pas largimit nga OpenAI, deklaroi se Altman shpesh i vinte drejtuesit kundër njëri-tjetrit dhe minonte rolin e saj si drejtuese e teknologjisë.
Megjithatë, ajo tha se pavarësisht kritikave, dëshironte që Altman të mbetej CEO dhe kishte ushtruar presion mbi bordin drejtues që të jepte një shpjegim më të plotë për shkarkimin e tij të përkohshëm në vitin 2023.

“OpenAI ishte në rrezik katastrofik për t’u shkatërruar. Isha e shqetësuar se kompania mund të dëmtohej plotësisht”, deklaroi ajo.

Një tjetër ish-zyrtare e OpenAI, Shivon Zilis, dëshmoi gjithashtu për tensionet brenda kompanisë, veçanërisht gjatë përgatitjeve për lançimin e chatbot-it ChatGPT. Ajo deklaroi se bordi kishte “shprehur shqetësim ekstrem” për publikimin e ChatGPT pa një komunikim të qartë paraprak me anëtarët e bordit drejtues.

Kur u pyet nëse kishte ngritur shqetësime lidhur me sjelljen e Altmanit, Zilis u përgjigj se “kishte pasur disa raste”.

Aktualisht, Zilis punon për Neuralink, kompania e Elon Musk për teknologjinë neurologjike. Ajo është gjithashtu nëna e katër fëmijëve të tij. Procesi gjyqësor ka nxjerrë në pah një seri konfliktesh mes drejtuesve dhe themeluesve të OpenAI lidhur me mënyrën se si kompania duhet të rritet dhe të financohet, si dhe për çështjen nëse Musk duhet të kishte marrë drejtimin ekzekutiv të startup-it.

Dëshmitë në gjyq kanë zbuluar edhe prapaskena të reja. Sipas raportimeve, Musk kishte tentuar të arrinte një marrëveshje me presidentin e OpenAI, Greg Brockman, vetëm disa ditë para nisjes së gjyqit. Në një moment, Musk është shprehur se ndihej “budalla” që kishte vazhduar të financonte OpenAI në fazat e para të krijimit të saj.

Top Channel