Paketa e Maleve
Nga Auron Tare
Para pak ditësh pata shkruar disa radhë për Pazarin e Gjirokastrës atë vend ku dikur rrihte pulsi i qytetit, por sot, ku fasada ruan pjesën historike, ndërsa dyqanet e vogla duken si Dugaja me mallra nga Lindja e Largët.
Si zakonisht, unë shkruaj për kënaqësinë time dhe të atyre që lexojnë. Mirëpo, shënimi im paska pasur edhe lexues të vëmendshëm nga administrata dhe një njeri që e çmoj dhe që, për këtë arsye, meriton një përgjigje me shkruante
“Auron,pse e sheh gotën bosh? Ne kemi artizanë në Pazar.”
Dhe, për të më bindur, më dërgonte edhe fotografinë e një zonje të përkulur mbi avlëmend një figurë që, në çdo pazar normal, do të ishte simbol i një tradite të mbajtur gjallë e jo përjashtim i rrallë.
Unë, nga ana ime, nuk kam asnjë arsye të mohoj ekzistencën e këtyre njerëzve. Përkundrazi, Gjirokastra, si qyteti i të parëve të mi, zë një vend të veçantë tek unë, por pikërisht për këtë më dhemb kur kontrasti me atë që duhet të ishte e zakonshme sot është bërë përjashtim.
Duke qenë se nuk më pëlqen të flas me përshtypje, por me fakte vendosa të bëj një numërim të thjeshtë, duke ecur kalldrëmeve.
Në Pazarin e Gjirokastrës gjenden rreth 140 njësi tregtare (përfshirë edhe ato pas Prefekturës).
Prej tyre, me gishtat e dorës mund të numërosh: një qëndistare, një gurëgdhendës, një dru-gdhendës e gjysmë (gjysma nuk është e regjistruar ende), 3 zonja që merren me kostume dhe një zonjë tjetër me qilima.
Është edhe një vajzë e re, e cila mundohet të prodhojë sapun shtëpie, si dhe një zonjë mjaft e këndshme, e cila u bën vizitorëve kafen tradicionale të Gjirokastrës, të bluar në gur dhe të zier në rërë të nxehtë.
Të tjerat?
Kafene me karrige në rrugë, suvenire turke dhe kineze, si dhe një univers i pafund sendesh që nuk kanë lidhje me Shqipërinë, por mbajnë me “krenari” emrin e saj.
Mallrave që vijnë nga Kina e Turqia u është stampuar “Albania” një ironi e hollë që askush nuk merr mundimin ta zhbëje.
Dhe kështu kthehemi tek miku im dhe tek “Gota”.
Ai shqetësohet se unë e shoh bosh.
Unë shqetësohem se dikush përpiqet ta quajë plot.
Sepse, nëse nga 140 njësi vetëm 8–9 kanë lidhje reale me artizanatin, atëherë kemi më pak se 6% traditë dhe mbi 90% tregeti.
Por, përtej shifrave, problemi është më i thellë.
Pazari i Gjirokastrës nuk është thjesht një hapësirë për të shitur zhele të lira lindore. Ai duhet të jetë një institucion i kujtesës, një vend ku zanatet nuk ekspozohen si relike, por jetojnë si profesion.
Gota është bosh, pasi formula e administrimit të Pazarit, e cila ka dëshmuar se është një dështim i madh, edhe pse ka mbështetjen e Fondit Shqiptaro-Amerikan (AADF), që ka krijuar një lloj bordi administrimi me emrin TID.
TID, të dashur miq që lexoni, operon edhe në Pazarin e Korçës dhe të Tiranës, ku, as më pak e as më shumë, janë “tregje” me mallra vulgare dhe pa asnjë lidhje me traditën e njohur të artizanatit shqiptar.
Ky TID i Fondit Shqiptaro-Amerikan, i mbështetur edhe nga bashkitë respektive, por edhe nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës, të cilat kanë detyrë jo vetëm funksionale, por edhe morale, duhet të krijojë hapësirën dhe mbështetjen për lulëzimin e artizanatit shqiptar.
Ndërkohë që TID shitet si sukses, në thelb nuk prodhohet asgjë në fushën e administrimit.
As artizanë të rinj.
As shkolla zanatesh.
As një ide e vetme serioze për të kthyer turizmin në vlerë monetare për vendasit.
Dhe kjo është ndoshta ironia më e madhe, ndërsa turistët shtohen në Pazar, autenticiteti tradicional pakësohet.
Në një vend me pak fantazi, kjo do të ishte një mundësi e artë,
të hapeshin shkolla artizanati, të tërhiqej rinia, të krijohej një markë e vërtetë “Made in Albania”, që të mos ishte vetëm një etiketë, por edhe një vlerë e madhe ekonomike për qytetin.
Do të mjaftonte pak dashuri dhe pak vullnet.
Por, siç ndodh shpesh, Ministria e Turizmit dhe Kulturës, AADF, bashkitë dhe të tjerë kanë zgjedhur zgjidhjen më të lehtë, Fasadën.
Dhe kështu, për ta mbyllur bisedën me mikun tim.
Po, i dashur mik, Gota nuk është bosh por ka disa pika uji në fund të saj.
Por kur një pazar historik si i Gjirokastrës, që duhet të jetë Burim, kthehet në një curril vere me pika, atëherë nuk kemi të bëjmë me një gotë gjysmë bosh.
Kemi të bëjmë me një gotë që askush nuk do ta mbushë
Top Channel