Festa e luleve i mbledh të gjithë në Shkodër. Ngjyra, pranverë dhe traditë në zemër të qytetit

06/05/2026 15:28

6 Maji, festa tradicionale e luleve për qytetin, i ka dhënë Shkodrës një tjetër atmosferë të veçantë, duke zbukuruar pedonalet me lule nga më të ndryshmet dhe duke krijuar një panoramë ngjyrash e pranvere.

Më të lumturit nga këto festime janë fëmijët e vegjël, përmes të cilëve synohet të përcillet dashuria e qytetit për lulet.

Për shkodranët, lidhja me lulet mbetet e veçantë.

Edhe turistët e huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë qytetin në këtë periudhë, e cilësojnë këtë festë, një surprizë të bukur.

“Vijmë nga Holanda dhe kemi 16 ditë në Shqipëri. Kjo festë ishte një surprizë e bukur për ne. Ka lule kudo, ngjyra shumë të bukura, shumë interesante.”

“Vijmë nga qyteti Chemnitz në Gjermani dhe duam të qëndrojmë 3 javë në Shqipëri. Po na pëlqen shumë atmosfera këtu, njerëzit janë të lumtur. Do marrim biçikleta me qira për të shëtitur vendin dhe natyrën.”

Në një qytet ku mbi 150 këngë i janë kushtuar vetëm luleve, dhe ku çdo oborr ruan ende aromën e traditës, festa e luleve mbetet një identitet për Shkodrën që po trashëgohet brez pas brezi.

Top Channel