Erion Braçe ka mbajtur fjalën e tij ditën e sotme në Kuvend, ku pas ngjarjes tragjike ku humbën jetën dy fëmijë në Durrës, deputeti socialit kërkon ndryshime në Kodin Penal.
“Fjalët që duhet të thuhen këtu duhet të kenë logjikë. Nëse ka një qeveri që në dy kohë të ndryshme ka dhënë naftë pa akcizë dhe pa lekë fare, është qeveria Rama dhe Nano. Unë u çova për tjetër hall, dy familje përcollën sot pa shpirtin e tyre. Kush ka fëmijë e di mirë. Një i tretë ka një traumë të rëndë emocionale dhe mendore. E gjitha pasojë e një krimi të rëndë në një rrugë lagjeje. Vrasje me dashje për mua dhe asnjëherë aksident apo shkelje të rregullave.
Është një ngjarje e përsëritur. Dje kam publikuar një video ashtu siç ishte, për të refuzuar normalizimin e një krimi të tillë. Kodi penal e normalizon një krim të tillë. Një i pirë, jo thjesht i dehur, për më keq pastaj që nget një makinë në rrugë, ndonjëherë shoqërohet dhe dërgohet në paraburgim.
Pastaj lirohet pas 2 ditësh dhe procedohet në gjendje të lirë. Morali është që ti mund të pish, të dehesh, të ngasësh makinën, të ndalohesh, të shkosh në paraburgim, por në krahun tjetër të hiqen vetëm pikë patente. Dhe në rast se ke para, paguan dyfishin e gjobës dhe nuk të pezullohet patenta.
E bën një herë, dy herë, mund të shkosh deri në 18 muaj ndalim patente. I hiqen vetëm 10 pikë në patentë. Ndërkohë ai po hetohet për shkelje rregullash, largim nga vendi i aksidentit. Është profili i një të forti që dehet dhe vret njerëz. Kjo nuk është shkelje e rregullave, është vrasje. Nëse ne duam të bëjmë diçka, është që të reformulojmë Kodin Penal, aktet si vrasje me dashje”, u shpreh Braçe.
Top Channel