Maj me borë dhe temperatura rekord në Greqi, një “dimër” i papritur në zemër të pranverës

04/05/2026 10:06

Greqia përjetoi gjatë tre ditëve të para të majit një nga episodet më të pazakonta të motit të dekadave të fundit. Një masë shumë e ftohtë ajrore solli rënie të ndjeshme të temperaturave, reshje bore në shumë zona malore dhe pamje që më shumë i përkisnin dimrit sesa pranverës.

Sipas meteorologëve, bëhet fjalë për një nga fenomenet më ekstreme të kësaj periudhe në rreth 40 vitet e fundit, me krahasime që shkojnë deri tek vala të ftohtit në vitin 1987. Në disa zona, përfshirë edhe Athinën, temperaturat ishin 12 deri në 13 gradë Celsius më të ulëta se vlerat normale për sezonin.

Kanë bërë përshtypje të veçantë temperatura 24-orëshe mesatare në 1 Maj në stacionin e Thissio-s në Athinë që shënoi  13,3°C, duke u renditur ndër katër më të ulëtat e 135 viteve të fundit, që nga viti 1890. Një ditë më vonë, temperatura mesatare ra në 12,3°C, e dyta më e ulëta për këtë datë që nga fillimi i matjeve.

Po kështu edhe temperatura maksimale shënoi rekord në këtë datë  në Thissio, me 15,2°C, vlera më e ulët maksimale për këtë datë që nga viti 1890. Mediat greke transmetuan pamje me borën që binte në Parnitha, Parnassos, Kalavryta, Ziria dhe zona të tjera malore, ndërsa në disa akse rrugore u kërkua përdorimi i zinxhirëve.

Edhe mëngjesi i sotëm solli temperatura minimale nën zero në disa zona:

Seli: -3,9°C
Livadi i Parnassosit: -3,6°C
Vovousa e Janinës: -3,5°C
Mavrolithari i Fokidës: -3,2°C
Ochiro Nevrokopiou: -2,8°C
Karpenisi-Voutiro: -2,7°C
Pertouli i Trikalas: -2,3°C
Felli i Grevenas: -2,2°C

Fenomeni ishte pjesë e një ndarjeje të pazakontë të motit në Europë. Ndërsa në Greqi dhe në Ballkan mbizotëronte i ftohti, në Europën Veriore dhe Perëndimore u regjistruan temperatura 23–24°C, madje edhe në qytete si Stokholmi, Brukseli, Parisi dhe Varshava.

Ndërkohë, kontrasti bëhet edhe më i fortë pasi nëorët në vazhdim pas këtij “dimri” të shkurtër, pritet një rritje e shpejtë e temperaturave. Në Atikë, termometri pritet të arrijë sërish 27-28°C, ndërsa në disa zona të Greqisë edhe 28-30°C.

Ekspertët theksojnë se episode të tilla të ftohta në maj po bëhen gjithnjë e më të rralla, ndërsa moti ekstrem dhe ndryshimet e shpejta të temperaturës lidhen gjithnjë e më shumë me paqëndrueshmërinë klimatike.

Top Channel