Polemikat për biletat, presidenti i FIFA-s: Janë të shtrenjta, por kemi shitur 90% të tyre
Gianni Infantino i qëndron besnik qëndrimit të tij dhe këmbëngul se Irani do të jetë pjesë e Kupës së Botës 2026. Pavarësisht deklaratave të shumta nga Zampolli, i dërguari special i Trump-it, të cilat rritën shpresat për një ripeshkim të Italisë, presidenti i FIFA-s nuk ka dyshime: “Irani do të marrë pjesë në Botërorin e ardhshëm,” konfirmoi 56-vjeçari gjatë Kongresit të FIFA-s në Vancouver. “Dhe sigurisht, ata do të luajnë në Shtetet e Bashkuara sipas planit. Arsyeja është shumë e thjeshtë: futbolli duhet të bashkojë.”
Infantino e rikonfirmoi këtë qëndrim në Kongresin e 76-të të FIFA-s në Vancouver të Kanadasë. Të 211 federatat anëtare (përfshirë atë të Palestinës) ishin të pranishme, me përjashtim të Iranit. Delegacioni iranian u kthye mbrapsht nga autoritetet kanadeze. Zyrtarët iranianë njoftuan se anuluan pjesëmarrjen e tyre si pasojë e asaj që e përshkruan si “sjellje fyese” nga oficerët e emigracionit në aeroportin e Torontos.
Në thelb, presidentit të federatës iraniane, Mehdi Taj, dhe sekretarit të përgjithshëm iu mohua hyrja për një arsye mjaft të qartë, të konfirmuar edhe nga New York Times. Refuzimi ndaj Taj lidhet me faktin se ai ka shërbyer më parë si udhëheqës në Gardën Revolucionare (Pasdaran), të cilën Kanadaja e konsideron një organizatë terroriste. Ngjarja ndodhi të hënën pas mbërritjes së tyre në Toronto, por u bë publike vetëm të enjten.
Zyrtarët kanadezë deklaruan se qeveria e tyre ka qenë e qartë dhe konsistente: “Zyrtarët e Gardës Revolucionare nuk lejohen në Kanada dhe nuk kanë vend në vendin tonë.” Pavarësisht sigurimeve të Infantinos, mungesa e Iranit në Kongres po shkakton trazira. Sipas RMC Sport, FIFA i ofroi delegacionit iranian një avion privat për t’i rikthyer menjëherë në Kanada, por pa sukses. Marrëdhëniet midis Kanadasë dhe Iranit mbeten të tensionuara, ndërsa ndeshjet e Iranit në Botëror janë planifikuar të luhen në SHBA kundër Zelandës së Re, Belgjikës dhe Egjiptit.
Trump: “Jam dakord që Irani të luajë”
Donald Trump u shpreh se ishte “dakord” që Irani t’i luante ndeshjet e tij në Kupën e Botës, pasi kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, përsëriti se ekipi do të marrë pjesë pavarësisht situatës në Lindjen e Mesme. “Nëse e ka thënë Gianni, jam dakord,” u shpreh Trump, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi komentet e Infantinos, me të cilin udhëheqësi amerikan mban lidhje të ngushta. “Gianni është fantastik dhe nëse ai mendon kështu, atëherë mendoj se duhet t’i lëmë të luajnë,” theksoi ai.
Top Channel