Starmer viziton komunitetin hebre ku ndodhi sulmi me thikë i ditës së djeshme, pritet me fishkëllima dhe thirrje kundër tij nga qytetarët

30/04/2026 18:23

Kryeministri britanik Keir Starmer u prit me fishkëllima sot gjatë vizitës së tij në lagjen Golders Green në veri të Londrës, ku dje ndodhi një tjetër sulm ndaj anëtarëve të komunitetit hebre që rezultoi në plagosjen e dy personave.

Incidenti u përshkrua nga policia e si “terrorist”. Sulmi pasoi një sërë incidentesh antisemitiste që janë regjistruar në javët e fundit në të njëjtën lagje të kryeqytetit britanik ku jeton një komunitet i madh hebre.

Dhjetëra njerëz u mblodhën jashtë ambienteve të një shërbimi ambulance të komunitetit hebre, disa brohorisnin “Starmer është frikacak” dhe disa të tjerë “Keir Starmer po i lëndon hebrenjtë” ndërsa fishkëllenin makinat e autokolonës së kryeministrit britanik.

Starmer nuk bëri asnjë deklaratë nga vendi i ngjarjes, sipas një gazetari të AFP, por ai bëri një postim në X ku shkroi se sulmi i djeshëm ishte një sulm racist i synuar kundër hebrenjve.

Sot ai ishte në vendngjarje dhe foli me vullnetarët që ishin menjëherë në vendin e sulmit dhe i falënderoi ata. Ai deklaroi gjithashtu se qeveria e tij po merr masa, duke rritur fondet për patrullat e policisë. Së fundmi, ai i dërgoi një mesazh të gjithë komunitetit hebre: “Vendi juaj është këtu dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju mbrojtur”.

Top Channel