Vizita e Charles në SHBA përballet me tensione, publikohet regjistrimi audio i ambasadorit britanik në Uashington: Marrëdhënia e vetme speciale e Amerikës është me… Izraeli

29/04/2026 09:53

Ambasadori i Britanisë në Uashington, Christian Turner, ka deklaruar se i vetmi vend që ka një “marrëdhënie të veçantë” me Shtetet e Bashkuara është “ndoshta Izraeli”, duke hedhur kështu dyshime mbi lidhjen tradicionale mes Londrës dhe Uashingtonit.

Komentet e tij, të bëra në mënyrë private, janë publikuar së fundmi dhe mund të errësojnë vizitën shtetërore të Charles III në SHBA. Turner, i cili mori detyrën në shkurt, tha se termi “marrëdhënie e veçantë” është i vjetëruar dhe i ngarkuar me “bagazh historik”. “Mendoj se ndoshta ka një vend që ka një marrëdhënie të veçantë me SHBA dhe ky është Izraeli”, u shpreh ai në një regjistrim audio.
Deklaratat e tij vijnë në një moment delikat, pasi Mbreti Charles III dhe Camilla u pritën në Shtëpinë e Bardhë nga Donald Trump dhe Melania Trump, në kuadër të një vizite që synon forcimin e marrëdhënieve anglo-amerikane.

Në të njëjtat komente, Turner foli edhe për skandalin e Jeffrey Epstein, duke e cilësuar “të jashtëzakonshme” që çështja nuk ka prekur figura të rëndësishme në SHBA, ndërsa në Britani ka pasur pasoja për emra të njohur, përfshirë Peter Mandelson dhe Prince Andrew. Të dy kanë mohuar çdo shkelje.
Sipas Turner, skandali ka ngritur pikëpyetje mbi nivelet e ndryshme të llogaridhënies mes dy vendeve. Ai shtoi gjithashtu se kryeministri Keir Starmer ishte vënë në siklet për muaj të tërë nga emërimi i Mandelson si ambasador.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike theksoi se komentet ishin “private dhe joformale” dhe nuk pasqyrojnë qëndrimin zyrtar të qeverisë.
Megjithatë, pavarësisht kritikave, Turner pranoi se marrëdhëniet mes Britanisë dhe SHBA mbeten “të forta”, sidomos në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ai theksoi se Evropa duhet të punojë për të ripërcaktuar raportet me SHBA-në dhe të mos mbështetet vetëm te “ombrella” amerikane. Komentet e ambasadorit pritet të shtojnë tensionet diplomatike dhe të hedhin hije mbi vizitën e Mbretit Charles III, ndërsa çështja Epstein rikthehet sërish në qendër të vëmendjes.

Top Channel