Roboti shpëton një grua të moshuar ukrainase nga vija e frontit, shihni videon

29/04/2026 09:38

Trupat ukrainase kanë përdorur teknologjinë për të shpëtuar një grua të moshuar që po përpiqej t’i shpëtonte bombardimeve ruse në rajonin e Donetskut.

77-vjeçarja u evakuua me ndihmën e një automjeti tokësor pa pilot (UGV), pasi u pikas nga ushtarët përmes një droni pranë qytetit të Lymanit.
Pamjet ajrore tregojnë gruan duke ecur me vështirësi me dy bastunë në një rrugë të mbushur me kratere, në një zonë të shkatërruar nga lufta. Për ta qetësuar dhe për të fituar besimin e saj, ushtarët mbështollën robotin me një batanije dhe vendosën një shënim ku shkruhej: “Gjyshe, ulu!”.

Sipas Korpusit të 3-të të Ushtrisë Ukrainase, gruaja kishte ecur përmes terrenit të rrezikshëm pa asnjë shpresë për mbijetesë, derisa roboti mbërriti për ta marrë. Operacioni i shpëtimit zgjati rreth katër orë, ndërsa nga qendra e komandës dëgjoheshin thirrjet e ushtarëve që e udhëzonin drejt mjetit. “Mendova se nuk do t’ia dilja dhe nuk kisha më forcë”, u shpreh ajo më pas.
Pasi arriti në pikën e evakuimit, 77-vjeçarja u ndihmua nga ushtarët e Batalionit të Parë të Motorizuar për të dalë nga roboti dhe për t’u strehuar në një zonë të sigurt. Një prej tyre u dëgjua të thoshte: “Më në fund mund të marrim frymë… faleminderit Zotit”. Gruaja kishte jetuar për 53 vjet në shtëpinë e saj, tashmë të shkatërruar, në një fshat pranë Lymanit, i njohur shpesh si “Portat e Donbasit”.

Top Channel