LVV thërret seancë të re për zgjedhjen e presidentit, propozon dy kandidatura të reja pas tërheqjes së Konjufcës dhe Kollçakut

27/04/2026 20:15

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se me kërkesë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të mbahet një seancë për zgjedhjen e presidentit që do të nisë sonte në orën 20:30.

Haxhiu tha se LVV ka propozuar dy emra të rinj për president. “Në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për president: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Feride Rushiti është drejtuese e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ndërsa Hatixhe Hoxha ka qenë kandidate për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pasditen e së hënës, në sallën plenare ishin të pranishëm vetëm deputetët e shumicës parlamentare pasi partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Lista Serbe bojkotuan këtë seancë.

Në seancë, dy kandidatët e LVV-së për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku tërhoqën zyrtarisht kandidaturat e tyre.

Kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri Albin Kurti, tha se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit është e të gjithëve, e jo vetëm e partisë së tij.

Top Channel