Aksident në aksin Lushnje-Berat, drejtuesi parakalon në mënyrë të gabuar dhe mjeti përfundon në kanal

27/04/2026 11:27

Një aksident rrugor sapo ka ndodhur në zonën e Çifligut, Lushnje, saktësisht në aksin Lushnje-Berat. Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.

Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit nuk ka arritur të shmangë një parakalim të rrezikshëm, duke humbur kontrollin e mjetit. Si pasojë, automjeti ka devijuar nga rruga dhe ka rënë në kanal.

Sipas informacioneve, në këtë mjet udhëtonin dy persona ku vetëm një pasagjere ka marrë lëndime të lehta, ndërsa shoferi nuk ka asnjë dëmtim. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, sidomos në rastet e parakalimeve.

Top Channel