Parandalimi dhe goditja e kriminalitetit, Inspektorati i Përgjithshëm dhe Policia e Shtetit firmosin marrëveshjen

21/04/2026 11:42

Inspektorati i Përgjithshëm dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nënshkruan sot më 21 Prill 2026, Marrëveshje Bashkëpunimi me qëllim forcimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të koordinuar.

Kjo marrëveshje garanton zbatimin e legjislacionit në fuqi, forcimit të shtetit të së drejtës, mbrojtjen e interesit publik, si dhe parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit në fushat me interes të përbashkët.

Njëkohësisht, vendosim së bashku një kuadër formal bashkëpunimin për rritjen e koordinimit, shkëmbimin e informacionit dhe realizimin e veprimtarive të përbashkëta, brenda kompetencave ligjore të secilit institucion. Palët angazhohen të mbështesin njëra-tjetrën për rritjen e efektivitetit, integritetit dhe profesionalizmit në ushtrimin e funksioneve të tyre.

Bashkëpunimi do të realizohet përmes komunikimit të strukturuar, koordinimit në çështje të kompetencave të përbashkëta dhe ndërmarrjes së iniciativave të përbashkëta, me synim forcimin e praktikave të ligjshme, transparente dhe efikase institucionale. Të gjitha veprimtaritë do të zhvillohen në përputhje të plotë me ligjin, duke respektuar pavarësinë dhe autoritetin e secilit institucion.

Përfaqësuesit e të dy institucioneve, Inspektori i Përgjithshme Dashnor Sula dhe Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Skënder Hita, vlerësuan se kjo marrëveshje përfaqëson një angazhim të përbashkët për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për rritjen e besimit të publikut përmes një bashkëpunimi më të ngushtë dhe më të qëndrueshëm.

Fokusi i kësaj marrëveshjeje do të synoj veçanërisht mbështetjen e inspektimeve të strukturave të Inspektoratit të Përgjithshëm, Inspektorateve Qendrore dhe Vendore, si dhe strukturave të tjera inspektuese, në sektorë me risk të lartë, si: ndërtimet pa leje, krimet mjedisore, siguria ushqimore, barnat dhe pajisjet mjekësore, puna e paligjshme dhe shkeljet në tregun e punës, duke garantuar ndërhyrje të koordinuar dhe efektive gjatë ushtrimit të detyrës, në rastet e rezistencës fizike, pengimit në kryerjen e detyrave apo mbrojtjes së personelit nga subjektet e proceduar të inspektimit apo individë të ndryshëm.

Gjithashtu, marrëveshja synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertizës dhe unifikimit të praktikave të punës, si dhe informimin e publikut, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe respektimin e konfidencialitetit.

Marrëveshja hyn në fuqi me nënshkrimin nga palët dhe ka afat të pacaktuar, duke përforcuar angazhimin institucional për forcimin e shtetit të së drejtës dhe sigurisë publike.

Top Channel