250 vende të lira në ushtri, fushata e rekrutimit mbërrin në Gjirokastër, interesim i lartë nga vajzat për uniformën

12/11/2026 17:28

Fushata e rekrutimit për Forcat e Armatosura ka mbërritur edhe në Gjirokastër, ku është konstatuar interesim nga të rinjtë për t’u bërë pjesë e ushtrisë, me një pjesëmarrje të veçantë të vajzave.

Pjesë e aktivitetit informues ishte edhe ekspozita e armëve dhe pajisjeve ushtarake, e cila u mundësoi të rinjve të njiheshin nga afër me armatimin dhe mjetet që përdoren nga Forcat e Armatosura.

Në kuadër të kësaj fushate, Ministria e Mbrojtjes ka hapur 250 vende vakante për ushtarë dhe detarë aktivë, duke synuar tërheqjen e të rinjve që dëshirojnë të ndërtojnë një karrierë ushtarake.

Gjatë takimeve, të interesuarit u informuan mbi kriteret e aplikimit, mundësitë e karrierës dhe përfitimet që ofron shërbimi në Forcat e Armatosura.

Interesimi i vajzave ishte një nga elementët që ra në sy gjatë aktivitetit, duke dëshmuar se uniforma ushtarake po shihet gjithnjë e më shumë si një mundësi karriere edhe nga të rejat.

 

Top Channel