Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë qytetin e Lezhë gjatë orëve të fundit krijuan probleme në disa zona urbane, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve.

Situata më problematike u regjistrua në lagjen “Besëlidhja” ku si pasojë e intensitetit të reshjeve dhe mbingarkesës së sistemit të kanalizimeve, uji doli në sipërfaqe dhe u grumbullua në bllokun e banimit 11 Janari.

Korrespondentja e Top Channel Brixhilda Deda bën me dije se situata lidhet edhe me punimet nëntokësore që po zhvillohen në kuadër të projektit për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza në qytet, investim që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe zgjidhje afatgjatë për përmbytjet.

Pas përfundimit të reshjeve të dendura, situata është përmirësuar dhe niveli i ujit është tërhequr.

Top Channel