Gjyqi për dosjen “Partizani”, GJKKO pranon kërkesën e Berishës, kryeministri Rama dhe Taulant Balla do të thirren si dëshmitarë

15/04/2026 11:55

Me SPAK-un neutral as pro dhe as kundër për thirrjen si dëshmitar të Edi Ramës dhe me avokatët e të pandehurve që insistojnë dëshminë e kryeministrit, gjykata e posaçme vendosi. Kryeministri Edi Rama do të pyetet si dëshmitar në dosjen Partizani për të folur për ‘Partizanin’ për kohën kur drejtonte bashkinë e Tiranës.

Ky vendim i Gjykatës Anti-korrupsion do të thotë se si dëshmitar kryeministri nuk ka asnjë opsion për ta shmangur ftesën për dosjen Partizani. Por javët në vazhdim nuk do jetë radha e Edi Ramës për të folur. Kjo sepse sipas radhës procedurale në gjykim, në fillim do të dëgjohen gati 100 dëshmitarët e SPAK, nëpërmjet të cilëve prokuroria synon ti provojë gjykatës akuzat e ngritura ndaj tetë të pandehurve midis tyre edhe ndaj ish kryeministrit Sali Berisha. Kur të përfundojë administrimi i dëshmitarëve të akuzës, atëherë dërgohen njoftimet për dëshmitarët e mbrojtjes, listë në të cilët është edhe emri i Edi Ramës.

Anila Hoxha raporton për Top Channel se sipas vendimit të gjykatës në 30 prill mes 7 dëshmitareve të parë si Albert Xhani, Paro Laci apo Isa tare do të jetë edhe politikani Taulant Balla. Si dëshmitar Balla ka interes për gjykimin mbasi ai në 2020 ai vuri në lëvizje prokurorinë duke kërkuar hetime

Gjykata ka pranuar gjithashtu kërkesën e SPAK që kërkon pyetjen si të pandehur të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, të cilët ndryshe nga dëshmitarët që nuk e shmangin dot gjykatën, ata meqenëse janë të akuzuar kanë të drejtë të refuzojnë.

Top Channel