Dy shfaqje brenda një mbrëmjeje. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit përball dy kryevepra që qëndrojnë në skaje të kundërta të emocioneve njerëzore, por që bashkohen në një përjetim të vetëm artistik.
E para për artdashësit do të vijë “Cavalleria Rusticana” e Pietro Mascagni-t, nën regjinë e Renato Bonajuto me historinë e Santuzzës dhe Turiddu-t, ku ndjenjat shfaqen në formën e tyre më të pastër dhe më të dhimbshme.
“Është një Santuzzë krejt ndryshe. Për herë të parë e kam luajtur në Siçili, në vendin ku është bërë Cavalleria Rusticana. Publiku do të shohë në të katërta netët këngëtarë të mrekullueshëm”, shprehet sopranoja, Eva Golemi.
Baritoni Armando Likaj thotë: “Rikthehem në operën e Alfios në veprën Cavalleria Rusticana. Këtë herë vjen me një koncept regjisorial ndryshe, që kësaj radhe vijnë po aq e fortë, me emocione të papërmbajtura”.
Drama e periudhës së Verizmit, që lulëzoi në Italinë e fund shekullit XX, duke paraqitur realitetin pa zbukurime, përshkruan pasionet, xhelozinë, dhe pasojat fatale të veprimeve të njerëzve të thjeshtë, të cilët jetojnë nën ndikimin e pasioneve të fuqishme dhe të dhunshme
“Në këtë vepër tregohet shumë fort mentaliteti dhe tradite nga një vend si Siçilia, por ku publiku mund të shohë gjëra të përbashkëta me traditën shqiptare. Ka nota muzikore shumë të forta, por edhe heshtje që do të na bëjë të mendohemi…”, shrton Likaj.
Më pas, “Gianni Schicchi” e Giacomo Puccini-t, që vjen nën regjinë e Ada Gurrës, sjell një kthesë të menjëhershme drejt ironisë dhe humorit. E ndërtuar mbi një histori plot zgjuarsi dhe satirë, kjo opera komike zbërthen absurditetin e lakmisë njerëzore.
“Te Cavalleria Rusticana luaj për herë të parë, po e bëj për kënaqësinë e publikut dhe kënaqësinë time. Gianni Schicchi e kam luajtur shumë herë jashtë vendit, sidomos në Operën e Sofjes dhe jam shumë e lumtur që vjen në një produksion tërësisht të ri TKOB-së”, shprehet soprano Ramona Tullumani.
Këto dy vepra repertorit operistik do të shfaqen në datat 3, 4, 6 dhe 7 prill, nën interpretimin e një kasti të pasur artistësh, që do të dhurojë një përjetim të dyfishtë emocionesh.
Top Channel