Interi lë sërish pikë në javën e 30-të të Serie A, duke barazar 1-1 me Fiorentinën, në një ndeshje që u luftua për gola deri në fund.

Zikaltrit e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e parë. Francesco Pio Esposito realizoi me kokë pas një asistimi të saktë nga Nicolò Barella dhe kështu Interi kishte gjithë lojën përpara për të thelluar rezultatin dhe siguruar fitoren, por nuk ndodhi kështu.

Megjithatë, pjesa e parë u karakterizua edhe nga raste të mira për vendasit, ku Moise Kean dhe Albert Guðmundsson rrezikuan portën e Yann Sommer, por pa arritur të barazonin.

Interi pati edhe një gol të anuluar për pozicion jashtë loje me Barellën, duke shtuar polemikat në pjesën e parë. Fiorentina rriti presionin dhe shpërbleu përpjekjet në minutën e 77-të, kur Cher Ndour reagoi më shpejt në zonë pas një topi të kthyer dhe barazoi rezultatin në 1-1.

Deri në fund të takimit, të dy skuadrat patën tentativa, ndërsa trajnerët bënë disa zëvendësime për të ndryshuar ritmin e lojës, por rezultati mbeti i pandryshuar. Ky është barazimi i tretë radhazi për Interin, që megjithatë vazhdon të kryesojë renditjen me 69 pikë, duke mbajtur një epërsi prej gjashtë pikësh ndaj rivalit AC Milan, që ka 63 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB