Arsenali kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Anglisë dhe vazhdon të jetë në garë për të 4 titujt në këtë sezon.

Topçinjtë e Londrës eliminuan në 1/8 e finaleve skuadrën e Mansfield që është pjesë e Divizionit të Tretë të futbollit anglez me rezultatin 2-1.

E megjithatë kjo fitore nuk ishte shumë e lehtë për të besuarit e Mikel Artetës.  Në fakt skuadra londineze arriti të zhbllokojë rezultatin vetëm në minutën e 41 të pjesës së parë me Madueken që shfrytëzoi në maksimum asistin e Martinellit për të dërguar topin në rrjetë dhe pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Arsenalit 1-0.

Në fillimin e pjesës së dytë, Evans i sapoaktivizuar si zëvendësues barazoi shifrat në 1-1 për skuadrën e Mansfield. Arsenali vonoi vetëm 16 minuta dhe shënoi sërish këtë radhë me Eze për të marrë kryesimin në 2-1 dhe ky rezultat mbeti i tillë deri në fund të 90 minutëshit me Arsenalin që preu biletën për të qenë mes 8 skuadrave më të mira të turneut historik anglez, FA Cup.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB