Ish-sulmuesi i Realit të Madridit, Eden Hazard, ka reflektuar për transferimin që shënoi kulmin e karrierës së tij, duke pranuar se veshja e fanellës së “Los Blancos” kishte qenë gjithmonë ëndrra e tij.

Duke folur për largimin nga Chelsea në vitin 2019, belgu theksoi se dëshira për t’u transferuar në Madrid kishte ekzistuar prej kohësh. “Nënshkrimi për Real Madridin ishte ëndrra ime. Doja të largohesha edhe para sezonit tim të fundit te Chelsea. Kisha thënë se do të qëndroja, por nëse Real Madridi do të vinte për mua, do të largohesha”.

Prezantimi i tij në “Santiago Bernabeu” mbetet një nga më të paharrueshmit e viteve të fundit, me stadiumin pothuajse të mbushur plot për ta mirëpritur. “U ndjeva si fëmijë gjatë prezantimit tim në Santiago Bernabeu”, tha Hazard. “Para se të shkoja te Real Madridi, kisha dëgjuar shumë paralajmërime për dhomën e zhveshjes dhe vështirësinë për t’u përshtatur me lojtarët. Por realiteti ishte krejtësisht ndryshe”.

“U ndjeva shumë mirë që nga dita e parë. Ramos, Modriç dhe Kroos më pritën shumë mirë. Të gjithë ishin fantastikë dhe gjithçka shkoi në mënyrë perfekte”. Në atë kohë, shumë tifozë e shihnin Hazardin si pasardhësin e Cristiano Ronaldos, por ai e mohoi një gjë të tillë. “Nuk erdha këtu për ta zëvendësuar Cristiano Ronaldon. Ai shënonte shumë gola në çdo ndeshje. Ndonjëherë unë asnjë. Erdha këtu për të qenë Eden Hazard dhe për ta shijuar futbollin”.

Megjithatë, aventura e tij në Madrid u godit shpejt nga lëndimet. Një ndërhyrje e ashpër nga Thomas Meunier rezultoi vendimtare. “Thomas Meunier më goditi me një forcë të paharrueshme. Ishte shumë e vështirë për mua dhe më ngadalësoi”, tha Hazard, duke shtuar se më pas pësoi një rikthim të lëndimit në të njëjtën zonë, në kyçin e këmbës.

“Aty nisën problemet”. Belgu pas largimit nga Reali vendosi të pensionohet në moshën 33-vjeçare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB