Naim Murseli i mori 100 mijë euro borxh Pacollit, zbulohet kontrata në gjykatë. Reagon biznesmeni: Ktheu 12 mijë euro, të tjerat…

11/02/2026 22:32

Naim Murseli, i akuzuar për porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij të ndjerë Liridona Ademajt, kishte marrë 100 mijë euro borxh nga biznesmeni Behgjet Pacolli.

Dokumenti është paraqitur nga prokurorja në seancën gjyqësore ndaj Murselit dhe të tjerëve, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Ademajt.

Sipas kontratës, Murseli i detyrohej Pacollit, për të cilin kishte punuar për një periudhë të gjatë, një shumë prej 100 mijë euro. Në deklarimet e tij para trupit gjykues, Murseli ka pohuar se këtë borxh e ka kthyer, por jo përmes një pagese të drejtpërdrejtë monetare.

Lidhur me rastin ka reaguar biznesmeni Pacolli, i cili sqaron se shuma nuk është kthyer plotësisht, por sipas tij “nuk ka pasur trysni për kthim urgjent”.

Sot është mbajtur një seancë në kuadër të procesit gjyqësor kundër Naim Murselit. Ndër të tjera, është diskutuar edhe për një kredi të garantuar nga unë për familjen Murseli (Liridona dhe Naimi).

Sot, shumë media të interesuara për këtë çështje kërkuan informacione dhe, në këtë kuadër, u sqarua se familja Murseli, në atë kohë, kishte blerë një lokal në Uddevalla, ku kishte punuar edhe e ndjera Liridona.

Nga kjo kredi, familja Murseli ka kthyer në para të gatshme më pak se 12,000 euro, por Naimi, në atë kohë ka kryer edhe punë në KOMPENSIM, kryesisht në mirëmbajtjen e faqeve të internetit të kompanive të grupit Mabetex, të Fondacionit BP dhe të disa platformave në rrjetet sociale. Nuk besoj se kjo shumë është kthyer në tërësi por nga ana ime nuk ka pas asnjë trusni për ndonjë kthim urgjent.”-thuhet në reagimin e Pacollit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB