Joshua Zirkzee është një prej futbollistëve që përmendet më shumë në futbollin botëror, por jo për paraqitjet e tij në fushën e lojës. Së fundmi ai është shndërruar në protagonistin absolut të merkatos së transferimeve. Sa herë një skuadër vihet në kërkim të një sulmuesi do të figurojë emri i tij. Ndodhi kjo me Romën, po ndodh tani me Juventusin.

Arsyeja është e thjeshtë; te Manchester United nuk ka hapësirë për të. Amorim e alternonte duke preferuar të tjerë lojtarë. Në këto thuajse 2 vjet në Old Trafford, Zirkzee në total në të gjitha kompeticionet ka luajtur 63 ndeshje. Nuk janë pak, por në shumicën e tyre ai është aktivizuar si zëvendësues.

Pas shkarkimit të Amorim, trajneri i përkohshëm Darren Fletcher e hodhi në fushën e lojës në ndeshjet ndaj Leeds, Burnley e Brighton. Ndërsa me Carrick u la në tribunë në ndeshjet me Manchester City dhe Arsenalin, edhe pse duket se lënia jashtë skuadre lidhet me një dëmtim të tij në pulpë. Por gjithsesi, trajneri i ri i Manchester United nuk duket se ka ndërmend ta vendosë atë në qendët të projektit, kjo sepse janë 3 sulmues që e bindin më shumë si Mbeumo, Cunha e Sesko.

Roma tentoi seriozisht për të përpara se të ndryshojë drejtim dhe të sjellë në skuadër Malen dhe Robinio Vaz. Juventus në të gjithë historinë e saj me Mateta, En-Nesyri (i sfumuar), Kolo Muani dhe Beto, po mendon edhe për Zirkzee që duke parë edhe aftësitë e tij për t’u lidhur me mesfushorët në pozicione më të avancuara, konsiderohet elementi perfekt për futbollin e Spallettit. Por në këtë pikë ka një problem që është i njëjti; Manchester United e mori Zirkzee nga Bologna për 45 milionë euro. Tani ai vlen të paktën 30 milionë dhe Juventus sigurisht që nuk ka ndërmend të shpenzojë kaq shumë. Ideja është marrja e tij me huazim, por te Djajtë e Kuq nuk janë të bindur nga formula duke qenë se me shumë mundësi do ta kenë sërish në radhët e tyre në fund të sezonit, ndërkohë që Manchester United kërkon ta shesë përfundimisht kartonin e Zirkzee, kjo edhe për të mos vazhduar t’i paguajë pagën deri në 2029 kur i skadon edhe kontrata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB