Këtë të mërkurë shënohet 20 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Ai vdiq më 21 janar 2006, në moshën 62-vjeçare derisa ende mbante postin e presidentit. Në ditën kur janë mbushur dy dekada që nga vdekja e Rugovës, krerët shtetëror e nderuan atë me homazhe pranë varrit. E shoqëruar me familjen e ish-presidentit, Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, tha se ai unifikoi gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri.

“Presidenti Rugova e bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci. Kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë”, u shpreh Osmani.

“Falënderoj shumë presidenten Osmani për këtë ceremoni që realizoi për nder të presidentit historik të Kosovës Rugova, për të gjitha këto aktivitete për ditën e sotshme”, u shpreh bashkëshortja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Fane Rugova.

Presidentin historik e nderoi edhe kryetari aktual i Kuvendit, Dimal Basha që e vlerësoi lartë konributin e Rugovës në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

“Një meritë e jashtëzakonshme i takon presidentit Rugova për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, marrë parasysh se asaj kohe shumë pak dinte ku ndodhej Kosova dhe për problemet që ballafaqohej”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Se Ibrahim Rugova mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave tha Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që për homazhe ishte i shoqëruar nga djali i ish-presidentit Ukë Rugova.

“Mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave dhe si i tillë na obligon të sillemi me dinjitet, maturi dhe përkushtim të madh për atdheun tone”, u shpreh kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Ju faleminderit për punën e mirë që po e bëni në trashëgiminë e presidentit Rugova në LDK dhe për të mirën e Kosovës dhe për të vazhduar miqësinë e përhershme me SHBA-të dhe BE-në”, tha djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova.

Ibrahim Rugovën me homazhe pranë varrit e nderuan edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian. Në nderim të presidentit historik, presidenca e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu mbajtën akademi përkujtimore, nga ku u vlerësua veprimtaria e Rugovës. Ai ishte udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës në vitet e ’90-ta. Ibrahim Rugova u rikonfirmuar si president i Kosovës dy herë edhe pas çlirimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB