Zgjedhja e Brahos në krye të SPAK, reagon Ambasada Gjermane: Suksese, mbështetje për pavarësinë e standardeve më të larta të drejtësisë
Policia shqiptare ka ushtruar kontroll në banesën e prindërve të 45-vjeçarit Dhimitër Meçi, i arrestuar në Greqi si pjesë e një grupi vrasësish me pagesë.
Sipas burimeve për Top Channel, gjatë kontrollit në banesë është gjetur vetëm nëna 84-vjeçare e tij, ndërsa dhoma e Dhimitër Meçit është gjetur e mbyllur me çelës.
Gjatë kontrolleve janë gjetur 2 kallashnikovë, 1 pistoletë automatike e mbështjellë me plastmas, dhjetëra fishekë, disa prej të cilëve brenda qeseve me oriz, dhe 5 krehra kallashnikovi. Sipas burimeve, këto armë dyshohet se do të kalonin ilegalisht kufirin për në Greqi.
Foto të armëve të sekuestruara gjatë operacionit, ku duken edhe mbishkrime në shqip si “PUSHK DHELPRA RUSE” apo “TT RUSE”, po qarkullojnë në media. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për armë të sekuestruara në Greqi apo në Shqipëri, pasi nga autoritetet shqiptare nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për shtyp.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se policia greke dyshon se grupi prej 4 shqiptarësh e 4 grekësh ishte përgatitur për kryerjen e një atentati ndaj një mafiozi grek në Pire, ndoshta rreth Krishtlindjeve, ish-bashkëpunëtor i Mihali Zampounit, i ekzekutuar më parë në atentat. Sipas burimeve, ata e kishin ndjekur viktimën e radhës dhe po planifikonin goditjen, ndoshta me një nga armët e gjetura në një apartament në Marina Zeas të Greqisë.
Po ashtu, policia ka zbuluar se i njëjti grup, veç tentativës së vrasjes së Jani Lalës dhe djegies së një karburanti, ishte autor edhe i vjedhjes së një automjeti më 22 korrik 2025, të cilit i kishin vendosur targa false.
Kujtojmë se gjatë operacionit të dy ditëve më parë, ranë në pranga Dhimitër alias Dhimo Meçi, 45 vjeç nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës; Fatjon alias Fatjion Prendi, 39 vjeç nga Lezha; Andrea Brokeri, 32 vjeç nga Himara; dhe u shpall në kërkim Vasil Theohari, 31 vjeç nga Krongji i Finiqit. U identifikuan si pjesë e grupit edhe 4 grekë, disa prej të cilëve u arrestuan.
Top Channel