Gjykata e Posaçme dënoi me burgim të përjetshëm Altin Hajrin për akuzën e rrëmbimit me pasojë vdekjen e Jan Prengës në janar të 2020-ës.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se burri u rrëmbye për shkak të konflikteve të drogës që i vëllai kishte në Angli dhe siç rezultoi nga hetimet e SPAK u dërgua në një resort në Shijak ku dhe u torturua.

Më pas kamerat tregojnë se si ai nxirret nga ambientet nga të akuzuarit. Për këtë hetim më herët SPAK kishte vendosur sekuestro edhe ndaj resortit por më pas u tërhoq, ndërsa ndaj Altin Hajrit gjykimi i krye në mungesë të tij.

Teksa SPAK kërkoi burg të përjetshëm avokati i të kërkuarit i ka mohuar akuzat dhe tha se klienti i tij nuk ka pasur dijeni mbi planin e rrëmbimit, por SPAK tregoi biseda përmes aplikacionit Sky ECC.

Më herët për këtë ngjarje është dënuar edhe Festim Bexhdili, po me burgim të përjetshëm. Ndërsa shtatë të tjerë mes tyre edhe Dritan Rexhepi janë ende nën gjykim.

Top Channel