Mjeti bie në përrua në Berat/ Katër të plagosur, dy nisen drejt spitalit të Traumës
Hyrije Ago nga Berati i është drejtuar emisionit investigativ Fiks Fare pasi ka përfunduar një proces gjyqësor për pagat e papaguara, por pavarësisht se vendimi është shpallur më 09.06.2025, ai ende nuk i është zbardhur nga gjyqtarja Artjola Çela.
Sipas saj, kjo vonesë e pajustifikuar e ka lënë për muaj të tërë në pritje dhe e ka penguar të ndjekë hapat ligjorë për ankimin e çështjes. Ajo tregon se ka shkuar disa herë në Gjykatën e Beratit dhe ka takuar sekretaren, e cila vazhdimisht i ka thënë se vendimi “është në proces”, por pa i dhënë një afat të saktë. Ndërkohë, ligji parashikon qartë afate të detyrueshme për zbardhjen e vendimeve, të cilat në këtë rast nuk janë respektuar.
Denoncuesja rrëfen: “Kam qenë në proces për pagat që më takonin. Fillimisht iu drejtova ndërmarrjes, pastaj gjykatës. Gjykata nuk më dha të drejtë, por as vendimin nuk ma ka zbardhur. Kam shkuar disa herë, kam takuar sekretaren e gjykatës dhe më ka thënë se janë në proces. Kanë kaluar gati 5 muaj pa ma dhënë këtë vendim. Unë dua ta apeloj, por më ka kaluar afati.”
E pyetur nga Fiks Fare, gjyqtarja Artjola Çela e pranoi vonesën dhe u shpreh: “Po, unë e di rastin. Për shkak të ngarkesës së madhe nuk kam mundur ta zbardh. Nuk po e justifikoj vonesën; ajo ka të drejtë. Jam në proces transferimi në Gjykatën e Durrësit. Gjithsesi, të hënën, më datë 17, vendimi do të jetë i zbardhur.”
Pas ndërhyrjes së Fiks Fare, vendimi u mor më në fund. Hyrije Ago shprehu mirënjohjen e saj: “Ju falënderoj shumë si Fiks, më ndihmuat se unë kam ardhur për 5 muaj çdo javë e nuk ma jepnin. Erdhët ju dhe e morët. Shumë shumë faleminderit!”
Ky rast ngre pikëpyetje të forta për funksionimin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor, ku vonesat administrative dhe mungesa e zbatimit të afateve ligjore dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët, duke i lënë pa mundësi të mbrojnë të drejtat e tyre në kohë.
Rasti i Hyrije Agos rikthen vëmendjen te një problem i njohur prej vitesh: zvarritja e proceseve gjyqësore dhe mungesa e përgjegjshmërisë institucionale.
Top Channel