IFAB ndryshon rregulloren, kartonë të kuq për lojtarët që mbulojnë gojën dhe ata që braktisin ndeshjen si protestë ndaj arbitrit
Himni kombëtar, “Mora fjalë” dhe dy super koreografi nga Intelektualët dhe Ballistët e kthyen stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në një skenë të vërtetë kuqezi, teksa Drita priti Shkëndijën e Tetovës në kuadër të Ligës së Konferencës.
Atmosfera festive, e ndërlidhur me afrimin e 28 dhe 29 Nëntorit, bëri që kjo përballje vëllazërore të merrte një ngjyrim krejt të veçantë.
Drita, e cila gjendet në vendin e 13-të të renditjes me 5 pikë, dhe Shkëndija, e 25-ta me 4 pikë, hynë në fushë nën tingujt e himnit kombëtar, një moment historik, pasi për herë të parë në fazën e grupeve të garave evropiane u interpretua zyrtarisht himni i shqiptarëve. Më pas stadiumi shpërtheu në këngën “Mora fjalë”, himnin emocional kushtuar heroit kombëtar Adem Jashari, të cilën rreth 6 mijë tifozë e kënduan në kor me gjithë shpirtin.
Në tribuna, “Intelektualët” e Dritës dhe “Ballistët” e Shkëndijës shpalosën dy koreografi gjigante, të kuruara deri në detaj, duke dërguar mesazhe të fuqishme për unitet, krenari dhe festat e nëntorit. Ngjyrat kuqezi dominuan kudo dhe mbushën stadiumin me një energji që rrallë shihet në ndeshjet e klubeve shqiptare. Aktualisht po luhet pjesa e dytë ku rezultati është 1-0 në favor të gjilanasve.
Top Channel