Pesë vjet pa Diego Armando Maradonën; futbolli kujton atë që e ka trajtuar gjithnjë me dashuri

25/11/2025 10:50

Ishte 25 nëntori i vitit 2020 kur bota e futbollit mësoi lajmin e ndarjes nga jeta të legjendës argjentinase, Diego Armando Maradona duke lënë kështu një boshllëk të madh.

Që nga ai moment kanë kaluar 5 vjet dhe kanë kaluar shumë shpejt, që nga ai moment, bota e futbollit nuk ka reshtur së lotuari për këtë legjendë që gjithnjë e ka trajtuar topin e futbollit me shumë dashuri dhe jo vetëm sepse cdo centimetër i trupit të tij dinte ta përkëdhelte me një elegancë me një aftësi që kishte shumë pak njerëzore. Diego Armando Maradona dhe topi i futbollit ishte një binom i pandashëm, një spektakël për sytë, edhe për ata që ishin kundërshtarë të tij. El Pibe De Oro ndoshta ka pasur një jetë personale jo të rregullt të turbulluar, por raporti i tij me topin e futbollit ka qenë special, unik. Përpara 5 vitesh Bota e futbollit humbi Dorën e Zotit, askush nuk mund të harrojë Botërorin e 1986 në Meksikë e sidomos sfidën e famshme mes Argjentinës dhe Anglisë, me dy golat e Maradonës që tashmë janë në librin e artë të historisë së futbollit, njëri për ekzekutimin spektakolar, për galopimin e legjenës argjentinase duke dribluar mbrojtësit angleze si në një slalom. Goli tjetër, ai i Dorës së Zotit që po diskutohet edhe sot e kësaj dite

Diego Armando Maradona ishte, është dhe do të mbetet heroi Napolit. Askush nuk e harron apo do të harrojë këtë futbollist që i dha lavdinë kësaj skuadre. Por  asgjë nga këto nuk mundi të fshijë fantazmat e jetës problematike që e kanë përndjekur. As afeksioni pa fund i tifozëve dhe jo vetëm nuk ia dolën të largojnë djajtë brenda tij, që ishte ai vete. I shfrytëzuar në maksimum për t’u hedhur tutje sic ndodhi në Botërorin e SHBA në 1994 apo mënyra si u largua nga napoli, Maradona i pagoi shtrenjtë gabimet e tij, madje me interesa deri në ndarjen nga jeta kur ishte vetëm 60 vjec. Që nga ai moment, në Napoli stadiumit i kanë vënë emrin e tij, e kanë kujtuar kur fituar dy titujt në Serie A në 3 vitet e fundit. E megjithatë  Diego Armando Maradona, vazhdon të jetë në faqet e para të medias, për procesin gjyqësor që duhet të vendosë për përgjegjësitë e kësaj humbjeje të madhe, u vazhdua me realizimin e dokumentarëve, përjetohet në murales të ndryshëm. Dhe përsa kohë që do të ketë ende njerëz që do të kërkojë në internet momentet më spektakolare të kësaj legjende të futbollit, Diego Armando Maradona do të jetë gjithnjë aty dhe do të na bëjë që ende të pyesim veten nëse gjithçka ka qenë reale  dhe nëse a mundet që një njeri të bëjë në fushën e lojës ato që bënte ai. Vitet kanë kaluar dhe do të kalojnë, talentet e reja nuk kanë munguar e as do të mungojnë, por gjithnjë do të kthehemi te fraza: ‘Kam parë Maradonën’. Nëse brezi i ri ka përqafuar rrymat e reja muzikore apo teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, kush adhuron futbollin e pastër do të mbetet me imazhin e Diego Pablo Maradonës që vallëzon në fushë në sy dhe në zemër.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta