Renditja/ Vendi i parë ndahet mes Vllaznisë dhe Elbasanit, Partizani largohet nga play out-i, si paraqitet situata pas javës së 12-të
Sezoni mjaft i mirë i Vllaznisë deri në këto momente, ku ndan vendin e parë me Elbasanin në Kategorinë Superiore, duket të jetë tronditur nga lajmi i kësaj të hëne.
FIFA ka publikuar vendimin për klubin shkodran, duke i shtangur këta të fundit pasi njofton humbjen e gjyqit që kanë pasur me një nga lojtarët që nuk është më në ekip.
Top Channel mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për futbollistin kroat Marko Juriç, i cili ka qenë lojtar i shkodranëve që nga sezoni i vitit 2022 deri në prag të fillimit të këtij viti.
Diskutimet financiare në ndarjen e palëve me sa duket kanë qenë pretendimi i lojtarit kroat, i cili e ka çuar këtë çështje deri në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FIFA. Me sa duket, qeveria e futbollit botëror ka vendosur t’i japë drejtë lojtarit duke penalizuar klubin shkodran.
Sipas vendimit të FIFA-s, shkodranëve u është bllokuar merkatoja për 3 sesionet e ardhshme. Ky penalizim ndalon drejtuesit e skuadrës së Vllaznisë të bëjnë lëvizje lojtarësh dhe regjistrimin e të rinjve deri në arritjen e një marrëveshjeje për shlyerjen e detyrimit ndaj lojtarit.

I pyetur nga Top Channel, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, siguron: “Është një gjyq që kemi humbur me lojtarin Marko Juriç dhe shumë shpejt kemi filluar të marrim masat për zgjidhjen e ngërçit, për të pasur në muajin janar merkaton e zhbllokuar për ndonjë lëvizje të mundshme,” – siguron numri 1 i shkodranëve.
Sa i përket sezonit aktual, “kuqeblutë” po bëjnë mjaft mirë. Pas 12 javëve kampionat, Vllaznia ndan vendin e parë me Elbasanin, ku të dy ekipet kanë nga 24 pikë.
Top Channel