Piloti debutues brazilian Gabriel Bortoleto pësoi një aksident dramatik gjatë Sprint-it të Çmimit të Madh të Sao Paulos, duke dalë fatmirësisht pa asnjë lëndim nga incidenti që tronditi pistën.

Në xhiron e fundit të garës Sprint, piloti i Kick Sauber humbi kontrollin e makinës në hyrje të kthesës së parë, duke goditur fillimisht murin e brendshëm dhe më pas duke u përplasur me barrierat në anën tjetër të pistës me shpejtësi të madhe.

Copëza metali dhe karboni u shpërndanë në gjithë pistën, ndërsa makina e tij mbeti e shkatërruar.

Kliko këtu për videon.

Pavarësisht pamjeve dramatike, 21-vjeçari doli vetë nga makina, duke konfirmuar menjëherë pas garës se ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

“Jam mirë,” tha Bortoleto pas Sprint-it: “Sigurisht që jam i zhgënjyer, sepse nuk arrita të marr pjesë në kualifikime në garën time të parë në shtëpi. Është për të ardhur keq, pasi besova se makina ishte konkurruese këtë fundjavë. Tani dua vetëm të rikthehem në timon, të jap maksimumin dhe të argëtohem në garë.”

Megjithëse mekanikët e Kick Sauber punuan me intensitet për të riparuar makinën, dëmtimet ishin shumë të mëdha dhe Bortoleto nuk do të mund të marrë pjesë në kualifikime, duke nisur nga fundi i rrjetës në garën e së dielës.

Incidenti i brazilianit nuk ishte i vetmi në Sprint: Oscar Piastri, Nico Hulkenberg dhe Franco Colapinto gjithashtu humbën kontrollin në të njëjtën kthesë, duke përfunduar jashtë garës.

Në krye të renditjes, Lando Norris i McLaren siguroi pole position për Çmimin e Madh të Sao Paulos, që zhvillohet pasditen e kësaj të diele, e cila do të transmetohet drejtpërsëdrejti në DigitAlb, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Piastri, do të nisë nga vendi i katërt.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta