
Ministri i Sporteve dhe Rekreacionit të Ganës, Kofi Adams, ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur përfshirjen e Eddie Nketiah dhe Callum Hudson-Odoi në kombëtaren A të Ganës, Black Stars.
Megjithatë, ai theksoi se vendimi final i takon stafit teknik dhe trajnerit të ekipit.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur zërat për ndryshimin e përfaqësimit kombëtar të dy ish-lojtarëve të ekipeve zinxhir të Anglisë janë shtuar ndjeshëm.
Nketiah, aktualisht pjesë e Crystal Palace, dhe Hudson-Odoi, që luan për Nottingham Forest, janë të dy me origjinë ganeze dhe kanë shprehur hapur gatishmërinë për të veshur fanellën e Ganës.
Në një intervistë për radion Asempa FM, Adams tha se përfaqësimi në Botëror nuk do të kushtëzohet nga pjesëmarrja e lojtarëve në fazën kualifikuese.
“Çdo ganez që di të luajë futboll ka mundësinë të jetë pjesë e ekipit në Botëror, nëse trajneri e dëshiron. Nuk ka rëndësi nëse lojtari ka luajtur gjatë kualifikueseve apo jo”, u shpreh ai.
Ministri përmendi edhe emra të tjerë si Baba Rahman, duke theksuar se vendimi për rikthimin e tij do të jetë gjithashtu në dorën e trajnerit, duke refuzuar çdo formë diskriminimi mbi bazën e përfshirjes së kaluar në kombëtare.
“Kam dëgjuar që ka diskutime për rikthimin e Baba Rahman. Është trajneri ai që do vendosë. Ne nuk do të bëjmë dallime, nëse një lojtar ka luajtur apo jo në kualifikuese”, tha Adams.
Ai zbuloi gjithashtu se ka qenë aktiv pas kuintave për të forcuar kombëtaren, duke ndihmuar me kontakte dhe negociata, madje edhe me lojtarë të lidhur me parti politike opozitare.
“Kjo është përgjegjësia ime. Nëse kërkojnë ndihmën time, do të jem aty. Madje disa nga lojtarët që janë aktualisht në ekip, i kam ndihmuar vetë të vijnë. Nuk ka lidhje me përkatësinë politike”, shtoi ai.
Pas sigurimit të kualifikimit për në Kupën e Botës 2026, falë një fitoreje minimale 1-0 ndaj Komoros, me golin e Mohammed Kudus, Gana tashmë i është përkushtuar përgatitjeve për turneun madhor.
Shorti zyrtar për Botërorin 2026 do të hidhet më 5 dhjetor 2025, në Washington, D.C., ku Black Stars shpresojnë të lënë pas performancën zhgënjyese në Katar dhe të kalojnë fazën e grupeve.
Top Channel