
Në Kosovë u mbajtën sot zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale.
Kutitë e votimit janë mbyllur ndërsa pritet rezultati i zgjedhjeve. Në këtë proces kishin të drejtë vote 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, votuan vetëm 38,87% e qytetarëve.
Procesi zgjedhor ka nisur në ora 07:00 dhe përfundoi në orën 19:00.
22:59 Vuçiç uron Listën Serbe “për fitoren” në Kosovë, mesazhi i presidentit serb
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka uruar “për fitoren” Listën Serbe – partinë kryesore të serbëve në Kosovë që Beogradi e mbështet.
“Edhe një fitore tjetër… Urime Listës Serbe dhe njerëzve tanë të palodhur në Zyrën për Kosovën”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Shifrat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, flasin për një betejë të fortë në Prishtinë, ku janë numëruar 171 nga 268 kuti votimi.
Në vend të parë që prej fillimit të procesit të numërimit, vijon të jetë kandidati i LDK-së, kryebashkiaku aktual Përparim Rama me 33.97% të votave të fituara, i ndjekur nga kandidati i Vetëvendosjes Hajrulla Cceko me 33.01% të votave. Ndërsa kandidati i PDK-së, Uran Ismaili mban vendin e tretë.
22:42 Përfundon numërimi në Dragash, komuna shkon në raundin e dytë të votimit
Përfundon procesi i numërimit të votave në komunën e Dragashit.
Në këtë komunë kryeson Bexhet Xheladini i LDK me 43.98% të votave. I dyti renditet Shaban Shabani me 28.38% të votave.
Edhe në Junik ka përfunduar numërimi i votave. Po ashtu edhe kjo komunë shkon në balotazh.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dalë mbrëmjen e sotme në një konferencë për shtyp, pas përfundimit të votimeve dhe pjesës më të madhe të numërimit.
Ai ka konfirmuar se ka fituar zgjedhjet dhe se është në garë për 12 komuna.
“LDK sonte shpallë fitoren në Istog, në Lipjan dhe në Junik shpallim fitoren në raund të parë. Afër këtij urimi jemi për Gazmend Muhaxherin që është gati me votat e mërgatës. Kur jemi kryetaret e tashëm dhe të ardhshëm, urojmë fituesin e garës kryesore, urojmë Përparim Ramën”, ka deklaruar Abdixhiku.
21:18 Lista Serbe ruan epërsinë në Graçanicë, pavarësisht garës së bashkuar të partive shqiptare
Në Graçanicë janë numëruar 38,24% të votave.
Lista Serbe është duke kryesuar me 62,32%
20:41 Nis festa e LDK-së në Prishtinë, rezultatet paraprake nxjerrin Përparim Ramën të parin
Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, ka nisur festën në Prishtinë.
Muzika dhe dajret kanë shpërthyer në kryeqytetin e Kosovës, pasi Përpaim Rama rezulton i pari sipas rezultateve paraprake.
20:31 Zgjedhjet për kryetarë komunash në Kosovë, policia: Proces i qetë dhe pa incidente serioze
Zgjedhjet për kryetarë komunash në Kosovë janë zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa incidente serioze, sipas vlerësimit të Policisë së Kosovës.
Plani operacional për menaxhimin e sigurisë gjatë procesit zgjedhor është zbatuar me sukses në gjithë territorin e vendit, duke garantuar rend dhe qetësi para, gjatë dhe pas votimit.
Dy raste të cenimit të fshehtësisë së votimit janë proceduar, ndërsa disa informacione të tjera janë trajtuar si shënime zyrtare. Policia thekson se asnjë incident i madh nuk ka penguar rrjedhën e votimeve.
20:15 Ramush Haradinaj flet për rezultat historik në zgjedhjet lokale: Nga nesër ia nisim punës
Pas përfundimit të procesit zgjedhor për kryetarë komunash në Kosovë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar përmes një mesazhi falënderues dhe motivues për strukturat e partisë dhe votuesit.
Ai e ka cilësuar rezultatin si një fitore historike, duke u shprehur krenar për çdo garues, komisioner, vëzhgues dhe qytetar që kontribuoi në këtë proces. Haradinaj u ka bërë thirrje fituesve që punën ta nisin menjëherë, ndërsa ka uruar të gjithë kandidatët që pritet të marrin detyrën ditët në vijim.
20:06 Qytetarët e Kosovës votuan sot/ Nis procesi i numërimit të votave për kryetarë komunash
Ka nisur procesi i numërimi të votave për zgjedhjen e kryetarëve të komunave në Kosovë.
Deri më tani janë hapur 3 kuti nga 268 në total.
19:53 Zgjedhjet lokale në Kosovë/ Reagon Albin Kurti: Të numërohen dhe ruhen votat
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas mbyllës së procesit të votimit për zgjedhjet lokale.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kurti falënderon qytetarët e Kosovës për çdo votë, ndërsa thekson se ata dëshmuan kulturë demokratike.
Më tej ai ndalet tek procesi i numërimit, ndërsa bën thirrje që të ruhen ajo pasi shprehin vullnetin e qytetarëve.
Pas mbylljes së vendvotimeve në Kosovë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen që i dhanë kësaj force politike në zgjedhjet lokale.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Krasniqi u shpreh se sot fituan qytetarët, demokracia dhe besimi në të ardhmen, duke theksuar se Kosova meriton më mirë.
“Faleminderit për çdo votë, anekënd vendit, me të cilën qytetarët u përcaktuan për modelin më të mirë të qeverisjes lokale, atë të Partisë Demokratike të Kosovës,” shkruan lideri i PDK-së.
19:35 Sondazhet, Peja dhe Prizreni drejt balotazhit. Shifrat paraprake në dy qytetet
Sondazhet e para të publikuara në mediat e Kosovës flasin për një raund të dytë që do të përcaktojë fituesin e komunave në Prizren dhe Pejë.
Konkretisht, në Prizren është duke kryesuar Partia Demokratike e Kosovës.
Shaqir Totaj (PDK) ka marrë 43.3%, Artan Abrashi (LVV) 30.4%, Driton Selmanaj (LDK) 11.1% dhe Zafir Berisha 4.2%
Sondazhet e publikuara në mediat e Kosovës tregojnë se garë interesante është zhvilluar sot në disa komuna të vendit.
Sipas rezultateve në Mitrovicë Arian Tahiri i PDK-së ka marrë 55%, Faton Peci i LVV-së ka marrë 39,7% dhe Gëzim Plakolli i LDK-së ka 4,4%.
Ky rezultat i Tahirit ka qenë që nga orët e mëngjesit.
19:07 Kosova votoi sot/ Mbyllen qendrat e votimit, dalin exit poll e para. Ja kush kryeson
Qytetarët e Kosovës votuan sot në zgjedhjet lokale.
Sipas exit-polleve të mediave të Kosovës, më Prishtinë kryeson Përparim Rama nga LDK me 35.82%.
Pas tij vjen Hajrulla Çeku nga LVV me 31.57% të votave, që pasohet nga Uran Ismaili i PDK-së me 26.05%. Pas tyre vjen Bekë Berisha i AAK me 4.24%.
Top Channel