
Giovanni Padovani, ish-futbollist dhe model 28-vjeçar, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen brutale të ish-të dashurës së tij, Alessandra Matteuzzi.
Vendimi u konfirmua nga Gjykata e Lartë e Kasacionit në Itali, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe duke lënë në fuqi vendimin e dhënë më parë nga gjykata e Bolonjës.
Ngjarja tragjike ndodhi më 23 gusht të vitit 2022 në Bolonja, ku Padovani i zuri pritë 56-vjeçares jashtë banesës së saj dhe e goditi për vdekje me grushte, shqelma dhe më pas me një çekiç. Vrasja tronditi opinionin publik në Itali dhe u bë simbol i dhunës ndaj grave nga ish-partnerët, në një kontekst të përsëritur alarmant për shoqërinë italiane.
Avokatët e familjes së viktimës, Chiara Rinaldi dhe Antonio Petroncini, reaguan pas vendimit duke theksuar rëndësinë e drejtësisë: “Alessandra më në fund ka marrë drejtësi. Giovanni Padovani është një vrasës, një përndjekës dhe një njeri me mendje të shëndoshë. Ai u përpoq me çdo mënyrë ta kontrollonte dhe ta posedonte atë, derisa ajo vendosi të rebelohej kundër dhunës dhe u vra brutalisht.”
Në një mesazh prekës, avokatët shtuan: “Në këtë pasdite të vonë shtatori, duke parë qiellin, nuk mund të mos mendosh se ‘Sandra’ është aty, diku, dhe me siguri po luan me qenin e saj Venny, e lirë të buzëqeshë, të jetë një grua.”
Rasti i Alessandra Matteuzzi ka rindezur debatin mbi nevojën për reforma më të ashpra ligjore dhe mbrojtje më të forta për gratë që raportojnë përndjekje apo dhunë nga ish-partnerët e tyre. Pavarësisht ankesave të mëparshme të viktimës, ajo nuk arriti të mbrohej në kohë nga agresori që përfundimisht i mori jetën.
Top Channel