Bajrami “tradhton” Shqipërinë për Zvicrën, mbrojtësi i Benfikës shtang Silvinjon

01/09/2025 18:12

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka pësuar disa ndryshime të rëndësishme në prag të dy ndeshjeve të shtatorit, teksa tre lojtarë nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për arsye të ndryshme.

Një nga lajmet më të bujshme është largimi i mbrojtësit Adrian Bajrami nga Kombëtarja kuqezi.

23-vjeçari Bajrami që luan te Benfika dhe është huazuar te Luzerna, ka marrë vendimin për të mos përfaqësuar më Shqipërinë, duke zgjedhur të luajë për Zvicrën në të ardhmen. Ky vendim i papritur ka detyruar trajnerin brazilian të Kombëtares, Silvinjo, të bëjë ndryshime në listë.

Në vend të Bajramit, është ftuar për herë të parë në Kombëtaren A mbrojtësi i ri Maldini Kaçurri. Lojtari që ka qenë më parë pjesë e ekipeve të moshave U-17, U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, do t’i bashkohet skuadrës në kampin stërvitor në Malaga ditën e hënë dhe do të vihet menjëherë në dispozicion të stafit teknik për përgatitjet e radhës.

Ndryshime ka pasur edhe reparti i mesfushës. Ylber Ramadani nuk do të jetë në dispozicion për shkak të një dëmtimi, dhe në vend të tij është thirrur Enis Çokaj, aktualisht pjesë e klubit grek Levadiakos.

Një tjetër mungesë e rëndësishme është ajo e sulmuesit Ernest Muçi, i cili ka shfaqur shqetësime në shpinë dhe, pas konsultimeve mjekësore me klubin dhe stafin e Kombëtares, është vendosur që të mos grumbullohet për këto dy sfida.

Në vend të tij, Silvinjo ka thirrur sulmuesin e talentuar Kristian Shpendi, një tjetër debutues në Kombëtaren A. Shpendi ka spikatur në përfaqësueset e moshave dhe tashmë i jepet mundësia të tregojë vlerat e tij në nivelin më të lartë.

Shqipëria do të luajë miqësore kundër Gjibraltarit më 4 shtator dhe me Letoninë për kualifikueset e Botërorit më 9 shtator. Ndeshjet do të transmetohen si gjithmonë në Digitalb.

Top Channel