Naund Shundi la pas një krijimtari të pasur artistike! Homazhet për aktorin dhe regjisorin, të premten paradite te Arturbina

28/08/2025 15:27

Aktori, regjisori dhe dramaturgu, Naun Shundi mbylli sytë në moshën 66-vjeçare. Sëmundja e rëndë e kancerit të lëkurës shkaktoi ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit.

Pas diagnostifikimit, Shundi u dërgua në një spital të specializuar në Francë, ndërsa trajtimin e vijoi më pas në QSUT në Tiranë, teksa Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit morën përsipër kurimin e tij. Edhe mbështetësit e aktorit u bënë bashkë duke kontribuar financiarisht, por një ditë më parë, bashkëshortja njoftoi përkeqësimin e gjendjes së tij

Në gati gjysmë shekull, Naun Shundi dha kontributin e tij të vyer si aktor e regjisor në skenën e Teatrit shqiptar. U bë i njohur me rolet e tij në filma si Vdekje me porosi, Shtëpia me dy porta, Vizita e damës plakë.

Pas shembjes së Teatrit Kombëtar, krijoi një teatër dhome në oborrin e shtëpisë. Te “Zonja e Bujtinës” lartësoi dramën shqip, duke i dhënë mundësinë edhe autorëve të rinj, ashtu sikurse bëri në festivalin e fundit ‘Flas Shqip’. Trajtonte me elegancë probleme të shoqërisë shqiptare, ashtu si shfaqja e fundit që vetë Shundi shkroi dhe vuri në skenë. Me “Njeriun e Pyllit’, Shundi ngrinte pikëpyetje mbi bashkëjetesës, probleme të jetës dhe të vdekjes.

Me një modesti e fisnikëri të pashoqe, Naun Shundi mësoi drejtimin dhe interpretimin në skenë për breza të tërë artistësh. Artisti që i kushtoi jetën të folurit shqip në skenat e teatrit, do të frymojë përmes dhjetëra krijimeve, që i la pas si trashëgimi për artin shqiptar.

Top Channel