“Duhet një bibliotekë e re”/ Biblioteka pasurohet me vepra të reja, infrastruktura mbetet ende problem

03/03/2026 20:14

Qendra e librit “Sotir Kolea”, që prej tre vitesh është pjesë e Bibliotekës Kombëtare ka ndihmuar në hapjen e fondit me vepra të rralla, përfshirë koleksionet e Aubrey Herbert, Aleks Budës, Mit’had Frashërit, Mitrush Kutelit apo Lasgush Poradecit për lexuesin.

Sipas shifrave të Bibliotekës Kombëtare, janë rreth 12-15 mijë anëtarësime në vit, me një rritje të të rinjve që frekuentojnë ambientet e Bibliotekës, që tashmë lejon edhe studimin me materiale personale në sallat e leximit.

“Përgjithësisht, besnikët e librit janë mosha e mesme, por edhe të rinjtë i janë kthyer ambienteve të Bibliotekës Kombëtare, edhe me materialet e veta, sikurse edhe objektet elektronike”, tha Antonio Çikollari, përgjegjës i Sektorit të Mirëmbajtjes së Librit në Qendrën “Sotir Kolea”.

Megjithatë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare mbetet problem mungesa e infrastrukturës për sistemin e materialeve dhe për pasojë shumë tituj nuk janë të aksesueshëm lirisht për publikun dhe studiuesit.

“Ne jemi përpjekur të bëjmë maksimumin, por përsëri fondi kryesor, të paktën në gjuhën shqipe, ndodhet në fonde të mbyllura te ‘Pallati i Kulturës’, që aksesohet në mënyrë më të vështirë”, u shpreh Antonio Çikollari, përgjegjës i Sektorit të Mirëmbajtjes së Librit në Qendrën “Sotir Kolea”.

Me pasurimin e fondit vit pas viti, është nevoja për zgjerimin e ambienteve për Bibiotekën Kombëtare, teksa ende nuk ka ende një datë se kur do të jetë gati godina e re që ka nisur të ndërtohet në zonën e Liqenit Artificial.

“Sot është nevoja më e madhe për Bibliotekën Kombëtare për të lehtësuar praninë e librit te lexuesi. Mendoj që është pjesa më e rëndësishme për ndërtimin e një biblioteke të re. Janë shumë vepra të vyera dhe të vjetra që duan kushtet e nevojshme për rijetëzimin e tyre”, deklaroi Antonio Çikollari, përgjegjës i Sektorit të Mirëmbajtjes së Librit në Qendrën “Sotir Kolea”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB